Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialog me Serbinë, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes me palën serbe lidhur me çështjen e energjisë.
Bislimi në një postim në Twitter, ka shkruar se me këtë marrëveshje tani e tutje edhe komunat veriore të Kosovës do të faturohen për energjinë që shpenzojnë.
“Më në fund kemi miratuar udhërrëfyesin e implementimit për marrëveshjet për energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi.
We finally adopted the Implementation Roadmap on Energy Agreements of 2013 & 2015. This enables billing of electricity in 4 Northern Municipalities of Kosova, under Kosova laws and regulatory system. pic.twitter.com/39xvPCB1Ym
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) June 21, 2022
I dërguari i posaçëm i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka quajtur këtë si hap të madh përpara.
Qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.