Arijanet Muriç synon të jetë mjaft i suksesshëm me Nottingam Forestin sezonin e ardhshëm. Portieri i Kosovës beson se do të ketë më shumë hapësira për të mbrojtur, të cilat nuk i kishte sa duhet tek City.
Përforcimi më i ri i Nottingham Forestit, Arijanet Muriç thotë se synim i tij kryesor për sezonin e ri është të ketë sa më shumë minutazh në portën e klubit anglez.
Portieri i Kombëtares së Kosovës u huazua për një vit tek klubi nga Championshipi për të bërë përvojë pasi tek Manchester City nuk do të mund të mbronte as sezonin e ardhshëm, duke e pasur parasysh se përpara i kishte portierët e klasit botëror si Ederson e Claudio Bravo.
Portieri shqiptar nga Mali i Zi thotë se e njeh mirë ligën e dytë të Anglisë, ndërsa synon po ashtu të jetë i suksesshëm me Nottingamin.
“Unë jam i lumtur që kam ardhur këtu dhe ta kaloj një kohë me bashkëlojtarët e mi të rinj. Shpresoj që do të mund të arrijmë shumë këtë sezon” ka thënë fillimisht 20 vjeçari për uebfaqen zyrtare të klubit.
“Unë e njoh Championshipin mjaft mirë, kam kaluar kohë duke e parë në televizor sezonin e kaluar dhe e di se është një ligë mjaft e vështirë. Jam këtu për të luftuar për pozitën e titullarit në ekip dhe të zhvilloj disa ndeshje këtu”, ka shtuar Muriç.
“Nuk po më pritet për fillimin e sezonit të ri, i cili është afër. Ne duhet të jemi mjaft të përgatitur dhe të jemi ‘fit’ dhe të gatshëm për ndeshjen e parë të sezonit”, përfundoi portieri shtatgjatë.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.