Një ngjarje tragjike ndodhi pasditën e ditës së djeshme në kanionin e Holtës, ku një 25 vjeçare u mbyt dhe dhjetëra të tjerë rrezikuan seriozisht jetën për shkak të rritjes së nivelit të ujit në kanion.
Viktima, u identifikua më vonë si Desantila Sollaku, 25 vjeçare. Ajo së bashku me të vëllanë kishin shkuar në kanion për të kaluar një ditë të këndshme, por gjithçka ka shkuar keq. Në kanion kanë vërshuar ujërat si pasojë e reshjeve të shiut dhe kanioni është kthyer në një lumë të rrëmbyer.
Sollaku jetonte në Savër të Lushnjes, por shumë shpejt do të largohej me të vëllanë drejt Gjermnaisë, pasi kishte përfunduar studimet për infermieri në Tiranë.
Familja Sollaku kishin dy vajza dhe një djalë. Ata merreshin me tregti të produkteve ushqimore në Lushnjë.
Desantila ishte e vetmja viktimë e djeshme, ndërsa vetë pushuesit që ngecën në kanion arritën të shpëtojë njëri- tjetrin, përfshi këtu edhe 4 fëmijë të mitur.
Tregimi i njërit prej turistëve që i shpëtuan makthit:
Turisti ka treguar në një prononcim për report tv se njërin prej 4 fëmijëve që u shpëtuan nga gryka e kanionit të Holtës, ia ka sjellë në duar rryma e fortë e ujit dhe dallgët e krijuara në kanion. Pushuesi tregon dhe për vajzën, të cilën e ka marrë teksa rryma e merrte. Ai ka deklaruar se ajo ishte larg dhe nuk kishte se çfarë të bënte për të.
‘Ne kemi shpëtuar njëri tjetrin. Na i sillte rryma njëri tjetrin nëpër duar, aq e fortë ishte. Vajzën e pamë që e mori uji, por ishim shumë larg dhe nuk bënim dot asgjë.
Fëmijën që shpëtova ma solli dallga e ujit në duar. Ai ishte me të atin, të cilit i shpëtoi nga duart si pasojë e ujit të rrëmbyeshëm dhe ma solli mua në duar” tha ai.
Ndërkohë një banor i zonës, ka treguar se në kanion ishin shumë persona dhe se ngjarja tragjike ndodhte për herë të parë në Holtë. Ai ka shtuar se nuk ka një informacion të saktë sesi turistët duhet të sillen në kanion, pasi nuk ka guida.
“Ishin shumë persona në kanion, të tjerët dolën… Kjo që ndodhi është hera e parë. Nuk ka njeri që ti udhëzojë turistët, vetëm ajo që u themi ne” tha banori.
Ndërsa një tjetër banor theksoi se “Ngjarja ndodhi si pasojë e shirave të menjëhershëm. Turistët u futën por s’e kuptuan rrjedhjen e lumit. U mobilizuan të gjithë, por uji ishte i menjëhershëm dhe vajza nuk shpëtoi. Kjo njihet si zonë me prurje të menjëhershme, aq më tepër verës. Se kuptoj si nuk e kuptuan njerëzit brenda zhurmën e ujit” tha ai.