Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se Projektkodi Civil shumë shpejt do të procedohet për votim në Kuvend.
Ajo është shprehur optimiste së kësaj radhe i njëjti do të kalojë.
Ministrja Haxhiu ka folur për rëndësinë e Kodit Civil, derisa për këtë ka thënë se kanë pasur takime edhe me Grupin Parlamentar të LVV-së.
“Projektkodin Civil shumë shpejt do ta procedojmë në Kuvend, dhe kësaj radhe do të kaloj në Kuvend sepse është një dokument i rëndësishëm”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Ajo konfirmoi se ka ende vota kundër brenda grupit parlamentar të VV-së, por shtoi se Qeveria dhe grupi parlamentar në shumicë angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut.
“Nuk them në asnjë mënyrë që secili prej deputetëve të grupit parlamentar do të votojë për. Ka ende disa që kanë qëndrimet e bindjet e tyre, por them edhe një herë se Qeveria dhe grupi parlamentar në shumicë angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut”, tha Haxhiu.
Kujtojmë se në Kuvendin e Kosovës nuk është miratuar Kodi Civil, ku kundër ishin 29 deputetë ndërsa pro 28 e katër vota ishin abstenim.
Në momentin e votimit në Kuvend ishin 77 deputetë, por 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.
Vlen të përmendet se liderët e partive opozitare Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj nuk ishin prezentë fare në momentin e votimit të këtij Projekt Kodi.