Zyrtarë të Bashkimit Evropian nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) iu kanë thënë mediave serbe se frika më e madhe për eskalimin e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës është fakti se në veri “ka grupe ekstreme të pakontrolluara”.
Duke iu referuar vendimit të sekuencionuar të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave dhe tërheqjen e përfaqësuesve serbë nga të gjitha institucionet kosovare, theksohet se këto lëvizje e bëjnë situatën “të mbushur me rrezik” dhe shtohet se “ka edhe grupe ekstreme të pakontrolluara”.
“Situata është shumë shqetësuese për ne sepse minon punën e palodhur shumëvjeçare në mbështetje të përparimit në dialogun Beograd-Prishtinë dhe e vë atë në rrezik real”, nënvizon burimi i agjencisë së lajmeve ‘Beta’.
Duke parë numrin “domethënës” të grupit të armatosur pranë barrikadave, policia e këtij misioni kishte vendosur për ta rritur prezencën në këtë pjesë të Kosovës.
Pas tensioneve të fundit që derivuan si rezultat i tërheqjes së komunitetit serb nga të gjitha institucionet e Kosovës, në pjesën veriore, përkatësisht në pikën kufitare në Jarinje, është shtuar numri i pjesëtarëve të misionit të EULEX-it.
Gjithashtu, në mes të Jarinjës dhe Mitrovicës së Veriut, edhe ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR-it) janë të stacionuar pranë rrugës kryesore.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.