Kryeministri në largim Ramush Haradinaj ka njoftuar edhe zyrtarisht Kuvendin e Kosovës dhe Presidencën për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga posti i Kryeministrit.
Ai, për vendimin e të premtes së shkuar, përveç krerëve të institucioneve shkresë zyrtare u ka përcjellë edhe liderëve të partive politike në vend, të pozitës dhe opozitës.
“Sot, përmes një letre, i kam njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e dorëheqjes sime të parevokueshme nga funksioni i Kryeministrit të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Haradinaj përmes facebook-u, duke i shpërndarë edhe letrat për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Albin Kurtin, Isa Mustafën, Shpend Ahmetin dhe Fatmir Limajn.
“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme, kam ftuar që të ndërmerren hapat e nevojshëm për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme nacionale, në mënyrë që e drejta për të zgjedhur t’i kthehet sovranit. Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, do të vazhdoj kryerjen e detyrave kushtetuese si Kryeministër dhe Qeveri në dorëheqje”, bën të ditur kryeministri i dorëhequr.
Haradinaj dorëzoi mandatin, pas sic tha ai, ftesës për tu paraqitur për intervistim për krime, këtë javë në Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë.
Siç ka mësuar Gazeta Online “Reporteri.net”, Haradinaj para prokurorëve të të ashtuquajturës Gjykatë Speciale do të dalë këtë të enjte.