×
  • Lajme
  • Lajme

    Ramush Haradinaj tregon nëse vazhdon punën si kryeministër deri në zgjedhje

    Reporteri
    22 Korrik 2019 | 16:41

    Kryeministri në largim Ramush Haradinaj, derisa ka njoftuar se u ka shkruar zyrtarisht për dorëheqjen e tij, krerëve institucional dhe atyre të partive politike, ka treguar se do të vazhdojë t’i drejtojë kompetencat e tij si kryeministër, deri në zgjedhjen e qeverisë së re.


    “Sot, përmes një letre, i kam njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e dorëheqjes sime të parevokueshme nga funksioni i Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme, kam ftuar që të ndërmerren hapat e nevojshëm për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme nacionale, në mënyrë që e drejta për të zgjedhur t’i kthehet sovranit”, ka shkruar kreu i AAK-së në facebook, derisa ka shpërndarë letrat të cilat i ka drejtuar tek Presidenti Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Kreu i VV-së Albin Kurti, atij të LDK-së Isa Mustafën, Shpend Ahmetit të PSD-së dhe partnerit tjetër të koalicionit Fatmir Limajt të NISMA-s.

    “Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, do të vazhdoj kryerjen e detyrave kushtetuese si Kryeministër dhe Qeveri në dorëheqje”, ka njoftuar Haradinaj.

    Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit, të premten e shkuar, pas siç tha ai, ftesës për tu paraqitur për intervistim për krime, gjatë kësaj jave në Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë.

    Siç ka raportuar, të njëjtën ditë, Gazeta Online “Reporteri.net”, Haradinaj para prokurorëve të të ashtuquajturës Gjykatë Speciale do të dalë këtë të enjte.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!