×
  • Lajme
  • Lajme

    Agim Veliu: Qesharake kërkesa e ministrit Sveçla që Gjermania t’i pranojë pasaportat me afat të skaduar

    Reporteri
    09 Janar 2023 | 15:10

    Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka thënë se kërkesa e ministrit Xhelal Sveçla është qesharake dhe fëmijërorë e cila sipas tij prish imazhin e Kosovës

    Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, e ka quajtur qesharake kërkesën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, që Gjermania t’i pranojë pasaportat e Kosovës me afat të skaduar.

    Kjo sipas tij, për shkak të mungesës së materialit për prodhimin e pasaportave të rinj.

    “Do të ishte e justifikueshme po të ndodhte në fillim të mandatit, ditët e para që e merr njeriu detyrën dhe është një kohë e arsyeshme derisa të zhvillohen procedura, por pas dy vite qeverisjeje, qytetarët e Republikës mos të kenë mundësi të pajisen me dokumente udhëtimi dhe me dokumente të tjera personale është e pajustifikueshme. Bile është shumë qesharake, konflikti në Ukrainë? Çfarë ka lidhje konflikti në Ukrainë me dokumentet e udhëtimit në Kosovë?” , ka thënë Veliu për KosovaPress.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kërkesat e tilla, si ajo ndaj Gjermanisë, e dëmtojnë edhe imazhin e vendit.

    “Kjo kërkesë është shumë qesharake për mua, t’i bëhet kërkesë një vendi që të pranohen dokumentet e skaduara, nuk e di kujt i hyn në punë një dokument i skaduar, sepse kusht për udhëtim qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë edhe vizën. Vizat nuk vendosen në pasaporta që nuk kanë afat. Ata njerëz që janë të pajisur me viza ata duhet ta kenë edhe vlefshmërinë e dokumentit, ndryshe nuk mund të pajisjet me vizë sepse është kusht. Kjo është një kërkesë fëmijërore, qesharake, që sigurisht e prish imazhin e Kosovës, institucioneve, ashtu siç duhet me qenë”, shton Veliu.

    Veliu po ashtu ka shtuar se në kohën sa ka qenë ai ministër nuk ka pasur mungesa të theksuara të materialit për dokumentacion.

    “Në kohën time nuk ka pas shumë mungesa edhe pse është dashur të bëjmë furnizime të shpejta nganjëherë për shkak të procedurave që janë vonuar e që kanë qenë me ankesa, mirëpo mungesë të theksuar të dokumentacionit nuk ka pas” , ka theksuar Veliu.

    Duke folur për mungesën e materialit për pasaporta, Veliu tha se qeveria duhet të këndellet, ndryshe sipas tij janë duke e dëmtuar vendin.

    “Ata (LVV) kanë qenë shumë kritikë, i kanë sulmuar vazhdimisht të tjerët pse po bëhet kjo, ndërsa vetë pas dy vite qeverisje po shihet se nuk janë në gjendje edhe një kërkesë elementare të qytetareve me të drejtë themelore të pajisjes me dokumente udhëtimi personale, ta sigurojnë. Kështu që, ata duhet t’i kthehen punës, të kthjellën, ndryshe këtë vend janë duke e dëmtuar pa masë” , tha mes tjerash Veliu.

    Ndryshe, për mungesën e materialit për pasaporta pati shumë reagime gjatë 24 orëve të fundit. Mërgimtarët kanë mbetur pa u kthyer në vendet ku jetojnë ndërsa qytetarë në Kosovë pa udhëtuar gjatë periudhës së festave.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!