×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa pyet se ku është Çakorri e Zhlebi sot: E kishit vetëm për vota e pushtet

    Reporteri
    21 Mars 2019 | 13:41

    Ish’kryeministri Isa Mustafa, i cili nuk mundi t’i shkojë deri në fund mandatit si shef qeverie, pasi u rrëzua shkaku i mosratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, ka reaguar sot lidhur me këtë temë, pasi Kosovën po e viziton ministri i Jashtëm i Malit të Zi, e i cili tha se nuk ka kurrëfar kontesti kufitar në mes të dy vendeve.


    Mustafa ka thënë se ishte shkaktuar dhunë e paparë ndaj institucioneve të vendit e ndaj tij personalisht me pretendimin se Kosova po humb 8200 hektarë, ndërsa tani kufiri ka mbetur aty ku edhe e përcaktonte marrëveshje, e cila kundërshtohej nga opozita e atëhershme, shkruan reporteri.net.

    Ai nuk ka lënë pa ua kujtuar edhe bashkëpartiakëve të tij, kundërshtimin që ja bënin marrëveshjes dhe argatin që ja bënin opozitës.

    Lexoni të plotë reagimin e kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa:

    Të nderuar qytetarë

    Ku është kufiri i Kosovës me Malin e Zi? E shtroj këtë pyetje, 365 ditë pas ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi.

    Për aq sa mbaj mend, nga vjeshta e vitit 2015 e deri në fund të vitit 2016, duke marrë shkas nga kjo Marrëveshje, u organizuan veprime të dhunshme dhe kriminale nga ata që ndërtuan kauzën se Kosova me këtë marrëveshje po humb 8200 hektarë.

    U pengua puna e Kuvendit duke hedhur gaz lotësjellës, shishe të ujit e sprej të syve; nga gurët dhe objeket e forta të protestuesve u plagosën shumë policë, disa edhe me pasoja afatgjata; iu vënë flaka me shishe molotovi ndërtesës së Qeverisë, u sulmua me minahedhës ndërtesa e Kuvendit; u sulmuan ministrat me vezë në rrugë, u gjuajtë bombë në ndërtesën e RTK-së dhe te kryetari i Komisionit shtetëror për shenjimin e vijës kufitare.

    Unë dhe eskorta ime, e kryeministrit, për mbi tetë muaj rresht u sulmuam. Një hërë me gurë nga pusia në të dalë nga Suhareka. Parreshtur u gjuajtëm me vezë, me sfera me ngjyrë, me iriq metalik, të punuar enkas për atentat ndaj meje në rrugën që qonte në shtëpinë time në Prishtinë. U sulmua shtëpia ime nga protestuesit me shishe të molotovit.

    Ii vënë flaka, kur ishte vetëm bashkëshortja ime aty.

    Dhe sot?

    Asgjë!

    Ministri i Jashtëm i Malit të Zi kishte deklaruar se nuk kanë asnjë kontest të demarkacionit me Kosovën.

    Kufiri mbeti aty ku ishte me Marrëveshje. Shpejtim Bulliqi, i cili me një grup i doli në krah z. Haradinaj për kauzën e tij të rrejshme, u bë kryetar i Komisionit. E z. Haradinaj, Kryeministër. Tani heshtin, nuk veprojne, veç se e ushqejnë me para Komisionin e tyre. Heshtin të gjithë ata që i zënin ekranet televizive dhe mediat tjera kundër Marrëveshjes së demarkacionit.

    Heshtin edhe deputetët, të cilët atëherë me popullizëm të pashoq kundërshtonin marrëveshjen. Disa prej tyre edhe tani deputet e disa jo.
    Unë nuk po hesht sot. Por po i pyes të gjithë ata që me kauzë të rrejshme organizuan dhe përkrahën dhunën kundër demarkacionit: ku jeni sot, sepse kufiri mbeti aty ku ishte. Aty ku ju, pas gjithë asaj katrahure që ia shkaktuat vendit dhe asaj marrie, e gëlltitët dhe e votuat.

    Pyes Kryeministrin e vendit, Qeverinë, Kuvendin, Komisionin shtetror.
    Valla, e ndjej të nevojshme por edhe përgjegjësi para opinionit dhe anëtarësisë së LDK-së, të pyes edhe disa deputet të LDK-së, partisë që unë e drejtoj, pse me aq popullizëm e kundërshtuan demarkimin kur LDK ishte në krye të Qeverisë, e me aq dashuri e votuat, kur LDK u rrëzua nga Qeveria.

    Pse nuk po iu dëgjohet zëri sot? Pse sot s’po kërkoni që kufiri të kthehet në Çakorr e në Zhleb? Çfarë ndodhi me ju? Kush ju qiti fall?

    Pranone, gjithë ju, se e keni pasur vetëm për vota dhe pushtet. Pranone edhe fajin që i morët në qafë qytetarët dhe i privuat nga liberalizimi i vizave për shkak të egos tuaj. IM

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!