Radio Televizioni i Kosovës e ka ringarkuar edicionin e lajmeve qendrore në kanalin Youtube, këtë herë bashkë me momentin e aksionit që ndodhi gjatë transmetimit live.
Ky veprim i RTK’së vjen pak pas raportimit të Gazetës Online Reporteri.net, ku televizioni publik kishte cenzuruar momentin kur aktivisti futet në studio të televizionit me një pankartë ku shkruhej “RTK – Radio Televizioni i Kurtit”.
Tashmë në Youtube figuron videoja e plotë e edicionit të lajmeve, me momentin e protestës bashkëngjitur.
Në anën tjetër, video e cenzuruar e mëparshme është kaluar në “private”.
Moderatorja e lajmeve qëndrore, e cila qëlloi rastësisht në këtë edicion, kërkoi falje “në mënyrë profesionale dhe personale” për këtë ndërhyrje.
“Ju kërkoj ndjesë për ato skena që patë pak më përpara kur në mënyrë të paorganizuar dhe të panjohur si nga ana e stafit, si nga ana e redaksisë, persona të panjohur hyn brenda përbrenda televizionit publik dhe bënë atë që ju patët mundësi ta shihni pak më përpara”, dëgjohet duke thënë moderatorja.
Kujtojmë se një aktivist i PSD’së ndërhyri gjatë transmetimit live me pankartë në duar në shenjë proteste ndaj zgjedhjes drejtor të kanaleve shqip në RTK, militantin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rilind Gërvalla. /Reporteri.net/.