Kosova mbushi sot 15 vjet pavarësi. Si një prej shteteve më të reja, Republika e Kosovës zyrtarizoi pavarësinë më 17 shkurt të 2008-ës, përmes një deklarimi nga ish-presidenti Hashim Thaçi, e nën duartrokitjen e deputetëve të tjerë prezentë në sallën e mbushur të Kuvendit. Sot, që u bënë 15 vjet që nga ajo datë historike, liderët e shtetit të Kosovës, bashkë me qytetarët e saj, festuan me një varg aktivitetesh gjatë ditës.
Festa nisi me ngritje solemne të flamurit të Republikës së Kosovës, në hapësirën mes ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në ceremoni ishin prezentë Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryekuvendari Glauk Konjufca, të shoqëruar edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Të katër këta vazhduan së bashku me të gjitha aktivitetet e parapara.
Përkrah me aktivitetet, u zbulua edhe imazhi i këtij përvjetori i monumentit “Newborn”, që përherë do të jetë sinonim i pavarësisë së Kosovës.
Pamja e sivjetme është ndërruar edhe nga pozicioni i shkronjave, ku përmes lëvizjes së shkronjave ‘N’ dhe ‘O’, është dhënë një mesazh i fuqishëm politik ku thuhet “No New Broken Republic”.
Ideatori i obeliskut të Pavarësisë së Kosovës, “New Born”, Fisnik Ismaili, tregoi se cili është mesazhi që përçohet përmes këtij obelisku për këtë 15 vjetor të pavarësisë së Kosovës.
“Ka të bëj me Asociacionin. E kemi bë një lojë me shkronja, ua kemi ndërru vendin. Jo një Republikë e coptume, është mesazhi. Mesazhi është edhe për Ukrainën…”, tha Ismaili për T7.
Dita vazhdoi me homazhe te varri i ish-Presidentit, Ibrahim Rugova, te Adem Demaçi, te monumenti “Heroinat”, si dhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kryeministri Kurti tha se Prekazi është kryeqytet i kryengritjes shqiptare.
“Teksa festojmë dhe gëzohemi në këtë 15-vjetor të Shpalljes së Pavarësisë, i kujtojmë me mall, dhembje e krenari ata të cilët u vetëmohuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën e tyre për lirinë e vendit. Prishtina është kryeqytet i Republikës por Prekazi është kryeqytet i kryengritjes shqiptare, andaj ardhja jonë këtu në këtë ditë kaq të rëndësishme për popullin dhe historinë tonë tregon që rruga jonë përpara gjithmonë e ka në mendje dhe në kujtesë çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë që gëzojmë”, tha ai në Prekaz.
Pas këtyre homazheve, krerët e shtetit, presidenti Begaj si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në orën 11:00 për seancën solemne të Ditës së Pavarësisë, seancë kjo që u përcoll me fjalime nga liderët e shtetit dhe liderët opozitarë.
Para foltores së Kuvendit, e cila mbante emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentja Osmani tha se Kosova ka shënuar progres të madh në rrugëtimin e saj demokratik përgjatë këtyre viteve.
Ajo shtoi se procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, e ajo është njohja reciproke, ashtu siç e përmendi presidenti amerikan Joe Biden në letrën e tij të urimit.
“Kosova nuk mund të jetë ishull i izoluar karshi sfidave e kërcënimeve. Sot e kësaj dite forca destruktive provojnë ta minojnë shtetësinë tonë. Në përballje me Serbinë, duhet dhe do të jemi një. Spektri politik i vendit do të jetë i bashkuar përballë të gjithë atyre që përpiqen ta minojnë shtetësinë tonë. Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog që e konfirmoi edhe presidenti Biden në letrën e tij dërguar dje, e ajo është njohja reciproke”, tha Osmani në seancën e Kuvendit.
Gjithashtu theksoi se brezave të rinj duhet t’i lënë trashëgimi bashkëjetesën, harmoninë dhe jo ndasinë.
“I uroj sukses në rrugëtim e Kosovës në BE. Shqipëria është pranë jush. Ka mbështetur dhe mbështet dialogun Serbi-Kosovë. Kosova është shtet i pavarur, qeveria serbe nuk e ka ndalur aktivitetin e saj kundër Kosovës. Angazhimi i BE dhe SHBA-së shpreh rëndësinë që ka Republika e Kosovës për të ardhmen në rajon. Ne i bëhemi mbështetës bashkëkombësve tanë duke promovuar mirëqenien. Gëzuar Ditën e Pavarësisë Republikës së Kosovës. Shtet përjetë”, tha Begaj në seancën solemne në parlamentin e Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në fjalimin e tij riktheu Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë që ish-kryeministri Hashim Thaçi e lexoi më 17 shkurt 2008.
“Më lejoni, që duke ndjerë rrahjen e zemrave të stërgjyshërve tanë, unë me nderin dhe privilegjin më të madh, do të lexoj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.
Krasniqi tha se në historinë e Kuvendit të Kosovës, nuk ka fjalë e lajm që është pritur më gjatë.
“Republika e Kosovës erdhi nga gjaku i dëshmorëve dhe martirëve të rënë, siç erdhi edhe nga kontributi i tyre që i drejtuan dhe zhvilluar proceset politike shtetndërtuesese deri në këtë ditë”, ka shtuar tutje Kurti.
Ishte lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili në adresimin e tij solli në foltoren e Kuvendit kujtimet e tij që nga fëmijëria. Ai përmendi helmimet e nxënësve shqiptarë në pranverën e 1990-së, trajtimin e pabarabartë që i bëhej atij dhe shokëve të tij në shkollë nga sistemi i kohës dhe mbetjen e mësuesve pa paga.
Ai ka kujtuar edhe sakrificën e Jasharëve edhe rënien e shumë dëshmorëve për lirinē e vendit, civilët e vrarë, gratë e dhunuara gjatë luftës, personat e pagjetur nga ajo kohë dhe të persekutuarit e të burgosurit.
“Rrugëtimi ynë si shtet krenar, me njerëz të jashtëzakonshëm e të ardhme të ndritshme do të vazhdojë. Sepse ky rrugëtim s’ka kthim mbrapa. Sepse Kosova, atdheu ynë, është i përhershëm. Sepse Republika është e pavdekshme. Urime dita e pavarësisë Kosovë. Të paçim përgjithmonë”, ishin fjalët përmbyllëse në fjalimin e Abdixhikut në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës solemne.
Me përfundimin e seancës solemne, radhën e pati një prej aktiviteteve që vulos epitetin e të qenit shtet i pavarur, që Kosova e gëzon tash e 15 vite. Radha ishte për parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, event ky që mblodhi qindra qytetarë, deputetë, e ministra në sheshet e kryeqytetit.
Qytetarë të shumtë nga të gjitha viset shqiptare panë nga afër parakalimet e pjesëtarëve të këtyre dy institucioneve të rendit dhe sigurisë. Ata janë shprehur krenarë me FSK-në dhe Policinë duke kërkuar që ky ritëm i zhvillimit të tyre të mos ndalet.
Në këtë përvjetor, nuk u harruan as 1133 fëmijët që disa prej tyre humbën jetën, e disa të tjerë u zhdukën gjatë luftës në Kosovë. Në përkujtim të 1133 fëmijëve, u ndezën 1133 qirinj në sheshin Skëndërbeu në Prishtinë.
Kryeministri Kurti u tha fëmijëve të pranishëm se sakrifica e popullit është e madhe dhe se plagët e luftës janë të thella, por se gëzimin dhe lumturinë e fëmijeve s’ka pikëllim që e mund.
“Shpresë jeni ju fëmijët e Kosovës. Ju po e mbani nga nië qiri në duart tuaja në këtë buzëmrëmje. Janë 1133 qirinj, sepse secili prej tyre tregon për një fëmijë që është vrarë gjatë luftës dhe nuk është në mesin tonë. Ne ata do t’i kujtojmë dhe kurrë s’do t’i harrojmë. Sakrifica e popullit tonë është e madhe plagët e luftës janë të tella. Por gëzimin dhe lumturinë tuaj nuk ka pikëllim që e mund”, tha Kurti.
Festa do të përmbyllet me një koncert përfundimtar, i paraparë të nisë prej orës 20:15 te salla 1 Tetori në Prishtinë. /Reporteri.net/.