×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti përmbledh kremtimet e Pavarësisë përmes fotografive: Gëzuar të gjithëve 17 shkurtin

    Reporteri
    17 Shkurt 2023 | 20:28
    Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen festive të Qeverisë për Ditën e Pavarësisë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përmbledhur aktivitetet që Qeveria zhvilloi për të shënuar 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

    Përmes fotografive, ai ka listuar kronologjikisht kremtimet për festën e Pavarësisë, që filluan me mbledhje festive të Qeverisë e përfunduan me ndezjen e qirinjve për fëmijët e vdekur dhe të zhdukur të luftës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Postimi i plotë:

    15-vjetorin e Pavarësisë e nisëm me mbledhje festive të Qeverisë, sepse puna dhe festa për Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë.

    E vazhduam me homazhe dhe nderime në Prishtinë dhe në Prekaz, për prijësit tanë, heronjtë e heroinat, të rënët e martirët, sepse pa përpjekjen dhe sakrificën e tyre nuk do ta kishim të tashmen e me shembujt dhe idealet e tyre duhet të ecim drejt të ardhmes.

    Nderuam kujtimin e 1133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës, sepse na mungojnë shumë dhe nuk i harrojmë kurrë.

    U takuam në mes vete e mirëpritëm përfaqësues të shteteve mike në Kuvend, sepse aty u shpall dhe aty duhet ta ruajmë Republikën.

    Pamë nga afër parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, sepse Kosova është histori suksesi që duhet të mbrohet përjetësisht.

    E gjatë gjithë ditës i uruam njëri-tjetrin republikën e për republikën, sepse sot kemi festë.

    Gëzuar të gjithëve 17 Shkurti dhe urime 15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës!

    Sot, nesër, përjetë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!