Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, se Çitaku mund të ketë “lidhje” me ish-agjentin problematik të FBI-së, Charles McGonigal, akuza këto që u nisën shkaku i dy fotografive që publikoi Abrashi, ku Çitaku dhe McGonigal u panë nën shoqërinë e njëri-tjetrit.
Këto akuza, Çitaku i ka quajtur pretendime të eksponentëve të VV-së “për të shpërndarë mjegull”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Me 4 Tetor 2017 jam ftuar zyrtarisht të flas para oficerëve dhe kadetëve të FBI për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në luftimin e sfidave rajonale dhe globale. Folës kemi qenë unë dhe Henry Kissinger. Ngjashëm jam ftuar edhe në State Department, CIA etc”, ishte shpjegimi i nënkryetares së PDK-së për fotot në fjalë.
Ajo tha se ky takim u bë në të mirë të Kosovës, teksa reagimin e përmbylli me një pyetje drejtuar VV-së për skandalin e ambasadorit Martin Berishaj.
“E tash, si e keni Martinin?”, shkroi ajo në Facebook.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi i ka kërkuar llogari nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës për “lidhjet” me Charles McGonigal, ish-zyrtarin e lartë të kundërzbulimit në FBI, i cili u arrestua pasi dyshohet se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.
Abrashi publikoi dy fotografi në Facebook, ku Çitaku shihet në praninë e McGonigal.
“Të gjithë shqiptarët tashmë janë të njohur për ‘rastin Mcgonigal’, ish shefin e kundërzbulimit të FBI-së, dhe lidhjen që kishte me politikanët shqiptarë, por edhe me oligarkë rusë. Në debatin publik e televiziv në Shqipëri, sepse në Kosovë nuk ka pasur asnjë të tillë, kemi parë tek përmenden edhe politikanë nga Kosova. Rasti Mcgonigal nuk është çfarëdo teme por çështje që ndërthuren shumë zhvillime politike”, shkroi Abrashi.
Ai kërkoi nga Çitaku që të tregojë “për lidhjet dhe takimet me këtë person”.
“Ish-ambasadorja dhe tash nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është mirë të na njoftojë për lidhjet dhe takimet me këtë person dhe temat e diskutuara”, shkroi deputeti i LVV-së.
Arrestohet ish-agjenti i FBI-së, akuzohet për pastrim parash dhe bashkëpunim me oligarkë rusë