×
  • Lajme
  • Lajme

    Krasniqi takon Hovenierin, ia rithekson rezervat e PDK-së për propozimin evropian: Kurti dështoi në dialog

    Reporteri
    13 Mars 2023 | 19:35
    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në selinë e partisë së tij, ka pritur sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Në takim me të, Krasniqi i ka shprehur edhe njëherë rezervat që PDK ka lidhur me propozimin evropian, i cili tashmë është pranuar në Bruksel nga kryeministri Kurti, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Ambasadorit Hovenier i shpreha edhe një herë qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat tona në raport me propozimin evropian tashmë të pranuar nga Kryeministri Kurti. Për ne, kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ka njoftuar Krasniqi në Facebook.

    Tutje, lideri opozitar i ka thënë Hovenierit se Kurti ka dështuar t’ia përmbushë kërkesat qytetarëve të Kosovës përmes procesit të dialogut, që tha se PDK e ka përkrahur përherë.

    “Përkundër mbështetjes që PDK i ka dhënë Kryeministrit Kurti për dy vjet me radhë në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë, përmes gabimeve e veprimeve kryeneqe dhe në shpërputhje me kontekstin politik, ai ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

    “Ambasadorin Hovenier e falënderova për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe e sigurova që PDK gjithmonë do të veprojë në përputhje ne interesin shtetëror dhe qytetar të Kosovës”, përfundoi Krasniqi. /Reporteri.net/.

    Postimi i plotë:

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!