Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova nuk mund të kushtëzohet nga Serbia me mbajtjen apo jo të zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës.
Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se një kompromis i mëhershëm ka ndodhur dhe se nga bashkësia ndërkombëtare kanë marrë garancë që ato nuk do të shtyhen më.
“Mendoj që Kosova nuk ka nevojë fare të lëvizë para se të ketë zhvillime në këtë drejtim. Pra, nuk mund që në të kushtëzohemi prej Beogradit prej Serbisë që ata të vendosin se kur do të ketë zgjedhje e kur jo në Kosovë. Zgjedhjet janë caktuar, një kompromis i mëhershëm ka ndodhur, zgjedhjet janë shtyrë njëherë ato janë shtyrë me kërkesë të Bashkësisë Ndërkombëtare ne e kemi marrë garancinë prej tyre që nuk do të shtyhen më shumë se njëherë”, ka deklaruar Konjufca.
Edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë sot se zgjedhjet në veri nuk duhet të shtyhen dhe shteti nuk guxon të bjerë në shantazhet e Listës Serbe.
Sveçla ka thënë se një prej arsyeve pse Lista Serbe ka bojkotuar këto zgjedhje është sepse ka humbur mbështetjen tek komuniteti serb që jeton atje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Ne nuk guxojmë të biem në shantazh të tyre. Çka do të thotë kjo? Nuk duhet të presim ne që Lista Serbe të na thotë a duhet të mbahen zgjedhjet apo jo, a do ta bojkotojë apo jo. Një prej arsyeve pse ata nuk janë për zgjidhjet është se brenda komunitetit që jeton atje, ata e kanë humbur mbështetjen.
Këtë e thonë edhe sondazhet e ndryshme. Unë po ju them sondazhe kredibile edhe të partnerëve tanë. Lista Srpska ka humbë përkrahjen. Po shihet edhe në realitet. Unë dje kam qenë atje, institucionet e sigurisë janë prezent më shumë se kurrë atje. Nuk kemi incidente me qytetarët kemi probleme me kriminelët”, tha Sveçla para Komisionit për integrime evropiane. /Reporteri.net/