×
  • Sport
  • Sport

    Flet tifozja spanjolle që e bëri tatuazh Muriqin: E dua shumë sepse jep gjithçka për Mallorcan

    Reporteri
    09 Maj 2023 | 17:02

    Nuk ka më asnjë dyshim se Vedat Muriqi është i preferuari i tifozëve të ekipit spanjoll, Mallorca.

    Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi ka pasur paraqitje të shkëlqyeshme këtë stinor me klubin e Mallorcas, ku edhe ka fituar zemra e mijëra tifozëve që tashmë e kanë të preferuar.

    Këtë e dëshmoi edhe gjesti i fundit i një tifoze të Mallorca, e cila vendosi që ta mbajë gjithmonë në kujtim sulmuesin tonë, Vedat Muriqi.

    Marga Adrover, tifozja e zjarrtë e Mallorcas ka vendosur që të bëjë tatuazh emrin e Vedat Muriqit dhe nënshkrimin e tij, gjë që e befasoi edhe vet futbollistin kosovar. Marga zbulon se si vendosi të bëjë tatuazhin.

    “Që kur mbërriti në Mallorca, ai është bërë shumë i veçantë për klubin dhe më pëlqeu që në fillim se si ai luftoi për ngjyrat tona. Ai fitoi zemrat tona që nga dita e parë dhe ne e duam gjithnjë e më shumë. Unë e admiroj të gjithë ekipin, por ai më dha një energji shumë të veçantë dhe kjo është arsyeja pse ai është i preferuari im”, tha fillimisht Marga për ‘GazetaBlic Sport’.

    Tifozja e Mallorcas publikoi tatuazhin e saj në mediumin “Twitter” dhe këtë e pa Muriqi, i cili e shpërndau duke e falënderuar, duke shkruar gjithashtu se s’mund ta besonte.

    “U emocionova shumë që e pa dhe prandaj ia dërgova përmes Twitterit se nuk kishte rrugë tjetër. Kur pashë që më ishte përgjigjur, më gëzoi shumë dhe më emocionoi sepse nuk e prisja. Ishte hera e parë që më përgjigjej. Muajin tjetër është ditëlindja ime dhe për mua ka qenë një dhuratë para kohe që e kam marrë”, tha Marga.

    Ajo thotë se ka dëshirë të takohet dhe të flas personalisht me Muriqin, pasi do që t’ia tregojë tatuazhin.

    “Nuk kam mundur të flas ende me të. Do të doja ta shihja personalisht para përfundimit të këtij sezoni dhe të mund t’ia tregoja drejtpërdrejt, sepse do të ishte një dhuratë tjetër për mua ta shihte me sytë e tij”, vazhdoi ajo.

    Në fund, Adrover e kishte edhe një mesazh për futbollistin tonë, Vedat Muriqi.

    “Mesazhi im për të është që shpresoj të qëndrojë përgjithmonë në Mallorca. Se ai është tashmë njëri prej nesh dhe me siguri do të mbetet në histori për dashurinë që na jep ne tifozëve dhe për mënyrën sesi jep gjithçka në çdo ndeshje për ekipin tonë. Dhe nga ana ime, veçanërisht t’i them se e admiroj shumë, se e dua dhe se ju falënderoj shumë që zgjodhët të jeni pjesë e ekipit të Mallorcas”, përfundoi ajo.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!