Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka shtuar edhe një kërkesë në tri të tjerat që parashtroi Bashkimi Evropian për Kosovën të enjten.
Von Cramon ka kërkuar “hetim të plotë dhe ndjekje penale të autorëve të sulmeve kundër ushtarëve të KFOR-it”.
Ajo është shprehur mirënjohëse për shërbimin që kryejnë trupat e KFOR-it në Kosovë.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka njoftuar të enjten tri kërkesat për Qeverinë e Kosovës.
“Zgjedhje lokale të reja të menjëhershme, sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës, nisja e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, janë tri kërkesat e parashtruara.
Kujtojmë se në këtë takim të përbashkët në Moldavi, prezentë ishin edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron si dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, të cilët po ashtu e kanë theksuar nevojën për zgjedhje të reja në komunat veriore.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se Kosova është e gatshme ta konsiderojë si mundësi organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. /Reporteri.net./