×
  • Lajme
  • Botë

    ShBA-ja dhe aleatët dënojnë testimin e një rakete balistike nga Koreja e Veriut

    Reporteri
    14 Korrik 2023 | 22:56

    Testimi i një rakete balistike ndërkontinentale nga Koreja e Veriut gjatë kësaj jave përbën shkelje të disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara dhe kërcënon paqen dhe stabilitetin e rajonit, thanë Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia përmes një deklarate të përbashkët më 14 korrik.

    Raketa, që u lëshua nga Veriu të mërkurën, fluturoi për 74 minuta në një lartësi prej 6.000 kilometrash dhe me një rreze prej 1.000 kilometrash, tha Japonia. Ky konsiderohet fluturimi më i gjatë i kryer nga ndonjë raketë e Koresë së Veriut.

    “Lëshimi i kësaj rakete përbën shkelje të qartë të disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe paraqet kërcënim për paqe dhe stabilitet në Gadishullin Korean dhe më tej”, thanë kryediplomatët e SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë në deklaratën e përbashkët.

    Këto shtete i bën thirrje Koresë së Veriut “të ndalë veprimet e paligjshme dhe shkallëzuese dhe t’i kthehet dialogut”.

    Zyrtarët – sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ministri i Jashtëm japonez, Yoshimasa Hayashi, dhe ai i Koresë së Jugut, Park Jin – u takuan në margjinat e Forumit Rajonal ASEAN në Xhakarta të Indonezisë të premten.

    Blinken theksoi “angazhimin e fortë” të SHBA-së për të mbrojtur Japoninë dhe Korenë e Jugut, u tha në një deklaratë të ndarë të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.

    “Zhvillimi i vazhdueshëm i aftësive bërthamore të Koresë së Veriut vetëm forcon vendosmërinë e të tri shteteve dhe të komunitetit ndërkombëtar për të arritur denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean”, u tha në deklaratën e përbashkët.

    Lëshimi i raketës erdhi disa ditë pasi Koreja e Veriut akuzoi se avionët e spiunazhit të SHBA-së kanë hyrë në hapësirën e saj ajrore dhe u zotua se do të ndërmarrë masa./rel

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!