×
  • Lajme
  • Botë

    Biden fton kryeministrin Netanyahu për vizitë në Shtëpinë e Bardhë

    Reporteri
    17 Korrik 2023 | 23:37

    Presidenti i SHBA Joe Biden ftoi të hënën kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington për një vizitë zyrtare në një datë që do të caktohet së shpejti, tha zyra e kryeministrit të Izraelit.

    Ftesa u bë gjatë një bisede telefonike midis Presidentit Biden dhe kryeministrit Netanyahu, një ditë përpara një vizite në Uashington nga presidenti izraelit Isaac Herzog.

    Benjamin Netanyahu u rikthye në pushtet më shumë se gjashtë muaj më parë, por nuk mori një ftesë nga Presidenti Biden për të vizituar Uashingtonin deri të hënën. Kryeministrat izraelitë zakonisht marrin ftesë nga Shtëpia e Bardhë për të vizituar Shtetet e Bashkuara pak kohë pas marrjes së detyrës.

    Përshkallëzimi i dhunës në Bregun Perëndimor, vendimet e qeverisë izraelite të krahut të djathtë për të autorizuar zgjerimin e vendbanimeve të kolonëve izraelitë dhe komentet nxitëse nga një anëtar i kabinetit të zotit Netanyahu me përgjegjësi mbi vendbanimet hebraike janë pritur me kritika nga zyrtarët amerikanë, duke përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin gjatë një vizite në Izrael në mars.

    Kryeministri Netanyahu i tha Presidentit Bidenit se do të përpiqet të krijojë “konsensus të gjerë publik” mbi projektligjin në Izrael që do t’i hiqte gjykatës më të lartë shumë nga kompetencat e saj, thuhet në deklaratë. Projektligji ka nxitur protesta antiqeveritare në Izrael për muaj të tërë.

    Të dy udhëheqësit patën një bisedë “të gjatë dhe të ngrohtë”, thuhet në deklaratën izraelite, e fokusuar në frenimin e kërcënimeve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij dhe forcimin e aleancës midis dy vendeve.

    Shtëpia e Bardhë pritet të lëshojë një deklaratë më vonë në lidhje me pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara për bisedën telefonike./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!