×
  • Lajme
  • Lajme

    Dialogu dhe taksa, përfaqësuesit politikë shpërfillin kërkesat e QUINT-it

    Reporteri
    15 Gusht 2019 | 8:31

    Pavarësisht faktit që shtetet e QUINT-it kanë kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të dialogut dhe heqjen e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe, asnjëra prej partive politike nuk është deklaruar pro heqjes së tarifës.


    Përkundrazi, përfaqësues të subjekteve politike rëndësi të veçantë u kanë kushtuar zgjedhjeve të parakohshme, pas të cilave duhet të rinisë dialogu, shkruan gazeta “Zëri”.

    Në fillim të kësaj jave shtetet e QUINT-it kërkuan rifillimin e menjëhershëm të procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë.

    Thirrja e pesë shteteve të QUINT-it për rinisje të procesit të negociatave erdhi në kohën kur në Kosovë pritet të vijë një qeveri e re, qoftë përmes një procesi të ri elektoral, qoftë pa shkuar fare në zgjedhje.

    Por ndonëse ekziston edhe ky opsion, të cilin e lejon Kushtetuta, partitë politike kanë kërkuar që data e zgjedhjeve të parakohshme të caktohet menjëherë pas 22 gushtit, kur pritet të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit.

    Teksa kanë komentuar thirrjen e QUINT-it për vazhdim të bisedimeve përfaqësues të partive politike kanë thënë se procesi i dialogut duhet të fillojë pas zgjedhjeve të reja, ndërkohë asnjë prej tyre nuk është deklaruar për heqje të taksës, ndonëse QUINT-i e ka kërkuar një gjë të tillë.

    Kurse përfaqësues të shoqërisë civile kanë konsideruar se pas rifillimit të procesit negociatat me Serbinë duhet të udhëhiqen nga Qeveria, gjegjësisht nga kryeministri i Kosovës.

    Në katër takimet që janë mbajtur deri më tash në kuadër të etapës përmbyllëse të dialogut Kosova është përfaqësuar nga presidenti Hashim Thaçi.

    Takimi i fundit mes dy palëve është zhvilluar para nëntë muajsh, më 9 nëntor 2018.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!