×
  • Sport
  • Sport

    FFK e pakënaqur me dënimin ndaj Rumanisë: Do ankohemi te UEFA

    Reporteri
    20 Shtator 2023 | 17:58

    Federatës së Futbollit të Kosovës i është dukur i pamjaftueshëm dënimi i UEFA-s ndaj Rumanisë, për incidentin ndaj Kosovës në ndeshjen kualifikuese për në Euro 2024. Përmes një reagimin, FFK është shprehur e pakënaqur me dënimin prej 50 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues që ia shqiptoi Rumanisë.

    FFK ka paralajmëruar edhe ankesë ndaj UEFA-s duke thënë se dënimi ndaj Rumanisë duhet të jetë më i madh si për të shërbyer si mësim për hera të tjera, shkruan Reporteri.net.

    “FFK-ja do të vazhdojë rrugën e saj ligjore dhe do të paraqesë ankesë në trupat përkatëse të UEFA-s, duke kërkuar që dënimi ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë të jetë sa më i lartë i mundshëm, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në forma të tjera, në mënyrë që të shërbejë si shembull se UEFA nuk do të tolerojë në asnjë mënyrë ofendime të tilla raciste ndaj një Federate anëtare të saj dhe ndaj një shteti të njohur ndërkombëtarisht”.

    UEFA e dënon Rumaninë për incidentin ndaj Kosovës

    “FFK-ja është e përkushtuar që të kërkojë nga UEFA, që nëpërmjet dënimeve ndaj Federatës së Rumanisë t’ia bëjë të qartë çdo federate, grupi tifozësh apo çfarëdo grupi tjetër të interesit, se shteti i Kosovës, ekipi kombëtar i Kosovës dhe Federata e Futbollit e Kosovës, duhet të trajtohen dhe të respektohen në të njëjtën formë me çdo shtet, ekip kombëtar, e Federatë tjetër evropiane që është anëtare e UEFA-s”, thuhet tutje në reagim.

    Federata rumune akuzohej për sjellje raciste, mesazhe provokuese të natyrës fyese, ndezje të fishekzjarrëve, hedhje të gjësendeve dhe bllokim të rrugë, gjatë ndeshjes së 12 shtatorit, ndaj Kosovës. Tifozët rumunë përdorën slloganë ku thuhej “Kosova është Serbi”. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!