Bashkimi Evropian e ka dënuar shpërthimin në veri të Kosovës, që ndodhi të enjten në mesnatë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se janë të shqetësuar se ky incident mund t’i përshkallëzojë edhe më tepër tensionet, shkruan Reporteri.net.
“Jemi të shqetësuar për vazhdimin e situatës ku nuk ka një de-përshkallëzim të tensioneve. Dua të ripërsëris se jemi duke e përcjell me shqetësim situatën dhe do të reagojmë me kohë në rast se është e nevojshme”, është shprehur Stano, në konferencë për gazetarë.
Për shpërthimin ka njoftuar edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ai e ka ndërlidhur hedhjen e granatës së dorës në veri të Mitrovicës në orët e mesnatës, me arrestimin e qytetarëve serbë të dyshuar për krime lufte.
“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë. Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës”, tha Sveçla.
Ai ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se është inspirues, mbështetës dhe urdhërdhënës për këtë akt kriminal. /Reporteri.net/.
Sveçla: Shpërthimi në veri, hakmarrje për arrestimin e serbëve për krime lufte