Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar sërish për vrasjen e një polici të Kosovës në veri, ku ka treguar se të shtënat me armë në drejtim të Policisë së Kosovës janë duke vazhduar.
Ai ka thënë se kjo është arsyeja pse i kanë bërë thirrje Serbisë që të mos sponsorizojnë sulmet terroriste në veri.
“Një polic ka mbetur i vrarë sot në krye të detyrës ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur, në komunën veriore të Zveçanit. Të shtënat me armë kundër policisë janë në vazhdim. Kjo është arsyeja pse ne kemi bërë thirrje që Serbia të ndalojë sponsorizimin e sulmeve terroriste në veri”, ka shkruar Kurti në platformën X.
“Ndërsa vajtojmë për humbjen e oficerit tonë të rënë, ne riafirmojmë angazhimin tonë për të ruajtur sundimin e ligjit dhe sigurinë në të gjithë territorin tonë. Sponsorizimi i dhunës dhe terrorizmit nga Serbia është një shkelje e rëndë si e sigurisë sonë kombëtare, ashtu edhe e ligjit, parimeve dhe vlerave ndërkombëtare”, ka vazhduar Kurti.
A 🇽🇰 policeman has been killed today in the line of duty while another has been injured, in the northern municipality of Zveçan. The gunfire against the police is ongoing. This is the reason why we have been calling for Serbia to stop sponsoring terrorist attacks in the north.
— Albin Kurti (@albinkurti) September 24, 2023
Pas zhvillimeve në veri, sot është mbledhur edhe Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kryeministri Kurti ka thënë se krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë.
“Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se ky sulm është i planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe.
“Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.”
Ajo ka thënë se këto sulme e dëshmojnë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia. /Reporteri.net/