Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, e ka mirëpritur deklaratën e Presidentes Vjosa Osmani se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Maliqi ka thënë se ky është momenti i fundit që të dorëzohet një draft i statutit i punuar me SHBA-të si garantuese, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Presidentja Osmani ka absolutisht të drejtë. Ky është momenti i fundit që të dorëzohet një draft i statutit i punuar me SHBA-të si garantuese. Statutin tashmë e ka “shkruar” vendimi i GJK. Le të merret Vuçiq me topin e nxehtë të (mos) pranimit të draftit të SHBA. Ndërkohë, Kosova të diskutojë bilateralisht me SHBA, Britaninë dhe Gjermaninë mbi çështjen e vendeve mosnjohëse, rrugën drejt NATO-s apo pakteve bilaterale të mbrojtjes si hapa të ndërmjetëm”, ka shkruar Osmani.
Osmani tha se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup e tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha Osmani.