Kryeministri Albin Kurti bashkë me Kryeparlamentarin Glauk Konjufca kanë qenë sot për ngushëllime në shtëpinë e rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra të dielën, pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist.
Në librin e kujtimeve, ndër të tjera, Kurti ka shkruar se emri i tij s’do të harrohet kurrë dhe se gjaku i tij s’do të humbë asnjëherë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Afrim Bunjaku, nga rreshter i Policisë u bë hero i Kosovës. Emri i tij s’do të harrohet kurrë. Gjaku i tij s’do të humbë asnjëherë. Rënia e tij heroike ngrit lart Republikën e pavarur dhe përgjegjësinë shtetërore për ligj e rend e siguri anembanë për të gjithë dhe secilin. Lavdi!”, shkroi Kurti, sipas njoftimit që ka lëshuar Zyra e Kryeministrit.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kabinetet e tyre, ishin në vizitë sot në shtëpinë e rreshterit të ndjerë të Policisë, heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.
Kryeministri Kurti shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku. Vepra e tij dhe përkushtimi ndaj atdheut, do të jetë gjithmonë në mendjet e zemrat tona.
“Afrim Bunjaku, nga rreshter i Policisë u bë hero i Kosovës. Emri i tij s’do të harrohet kurrë. Gjaku i tij s’do të humbë asnjëherë. Rënia e tij heroike ngrit lart Republikën e pavarur dhe përgjegjësinë shtetërore për ligj e rend e siguri anembanë për të gjithë dhe secilin. Lavdi!”, shkroi Kryeministri Kurti në librin e kujtimeve.