Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë kanë reaguar për situatën mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se duhet të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm mes dy shteteve.
Gjermania ka thënë se është e rëndësishme që Serbia t’i reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën pa vonesë.
MPJ gjermane tutje ka shtuar se bashkë me partnerët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me palët e përfshira.
Berlini zyrtar kërkon që procesi politik të vazhdojë urgjentisht.
“Duhet të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm mes Serbisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që Serbia të reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën pa vonesë. Së bashku me partnerët tanë, ne jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me palët e përfshira. Procesi politik duhet të vazhdojë urgjentisht”, thuhet në reagim.
Further escalation between #Serbia & #Kosovo must be avoided. It is important that Serbia reduces its troops at the border to Kosovo without delay. Together with our partners, we are in direct contact with the parties involved. The political process needs to continue urgently.
— GermanForeignOffice (@GermanyDiplo) September 30, 2023
Gjatë ditës së djeshme, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.
Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë sot se ShBA-ja është e shqetësuar me dërgimin e trupave nga ana e Serbisë në kufirin me Kosovën.
Këtë kërkesë sot e bëri edhe Bashkimi Evropian.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.
Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”. /Reporteri.net/