Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka thënë se Serbia duhet të marrë pjesë në një hetim ndërkombëtar rreth asaj që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit dhe se Beogradi duhet të tregojë një shkallë të sinqeritetit dhe të mos i bëjë heronj vrasësit gjakftohtë që morën pjesë në sulmin ndaj policisë.
Ai ka lavdëruar Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar gjatë aksionit të 24 shtatorit, ku sipas tij, policia përmes veprimeve operacionale të kujdesshme, ruajti jetët e civilëve.
“E shoh pothuajse si një mrekulli faktin që Policia e Kosovës ishte e aftë t’i jepte fund dhunës me tre të vrarë nga grupi i personave të armatosur. Tragjikisht, një polic i Kosovës u vra, dhe unë i shpreh ngushëllime familjes. Mirëpo, mund të ishte shumë më keq dhe të shkaktohej një eskalim i madh”, ka deklaruar Shea në KTV.
Shea ka thënë se NATO-ja duhet ta forcojë strukturën e vet në Kosovë.
“Dhe e patë dje në lajme që vendi im, Britania e Madhe, është duke dërguar menjëherë një pjesë të trupave rezervë të regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit. Pra, KFOR-i duhet të përforcohet. Së dyti, KFOR-i duhet të rishikojë arazhmanet e sigurisë në veri. Posaçërisht në kufi me Serbinë, e sidomos për të ndaluar infiltrimin e luftëtarëve të tillë sikur atyre të 24 shtatorit e mjeteve të ndryshme”, ka shtuar ai.