×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu me Serbinë

    Kurti, pas diskutimeve në Bruksel: Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin

    Reporteri
    26 Tetor 2023 | 21:29

    Njëjtë si në komunikatën e Qeverisë së Kosovës, tashmë edhe vetë kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia refuzoi ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë sonte, gjatë bisedimeve në Bruksel. Ai tha se Kosova, në anën tjetër, ishte e gatshme ta nënshkruajë Marrëveshjen, Aneksin, si dhe draft-statutin për Asociacionin, që iu prezantua Qeverisë me 21 tetor.

    Kryeministri Kurti ka thënë se për Kosovën, primare mbetet siguria në veri, si dhe sanksionimi i Serbisë pas sulmit terrorist në Banjskë, shkruan Reporteri.net.

    “Theksova se pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit, siguria e Kosovës është parësore, siç është edhe mbajtja e Serbisë përgjegjëse. Kosova ka pranuar/miratuar Marrëveshjen Bazë dhe unë ofrova ta nënshkruaj sot këtë herë së bashku me propozimin e 21 tetorit”.

    Qeveria e Kosovës: Kurti ishte i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen sonte në Bruksel, Vuçiqi e refuzoi

    Kurti shtoi se presidenti serb Vuçiq kërkoi t’i pranohet një letër anësore, përmes së cilës zhbëhen tri parime të Marrëveshjes Bazë.

    Sipas Kurtit, “pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin.”

    “Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të Marrëveshjes Bazë, Aneksin dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin.”

    Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe as pavarësinë e saj”.

    Mirëpo, ai tha se janë të gatshëm ta pranojnë “atë që është dakorduar”.

    “Gjatë bisedimeve në Bruksel kemi biseduar për të gjitha temat dhe marrëveshjet, kam thënë qartë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo pavarësinë e Kosovës, por se jemi të gatshëm të përmbushim atë që është marrë vesh, letra e 21 tetorit është një e mirë. bazë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen”, ka thënë ai pas takimeve. /Reporteri.net/.

    Vuçiq deklarohet pas takimit me liderët evropianë: Nuk mund ta pranoj anëtarësimin e Kosovës në OKB e as pavarësinë e saj

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!