×
  • Lajme
  • Lajme / Më keq se në 2018

    Rezultate të pritshme për të gjithë, çka u deklarua pas dështimit të Kosovës në testin PISA

    Reporteri
    05 Dhjetor 2023 | 14:59

    Reagime të shumta ka pasur pas rezultateve të dobëta të Kosovës në testin PISA.

    Për Ministrinë e Arsimit, opozitën e organizatat që merren me cilësinë në arsim këto rezultate kanë qenë të pritshme.

    Ishte vetë Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ajo që tha se “nuk janë befasuar nga këto rezultate”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në një konferencë për media të martën ku u prezantuan këto rezultate, Nagavci është shprehur se ky cikël i testimit është organizuar në periudhën menjëherë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me shumë vështirësi në Kosovë.

    “Në testin PISA 2022, nga Kosova kanë marr pjesë gjithsej 6 mijë 27 nxënës nga 229 shkolla. Rezultatet të cilat janë bërë publike sot kanë qenë të pritshme, duke pasur parasysh se në këtë cikël të testimit që u organizua në pranverë të vitit 2022, kemi pasur një situatë menjëherë pas pandemisë kur mësimi u zhvillua me vështirësi të madha nga distanca dhe me ndërprerje”.

    “Ka qenë e pritshme edhe nga raportet vendore por edhe nga studimet e ndryshme ndërkombëtare, është konstatuar se për shkak të situatës së pandemisë nxënësit kanë pësuar rënie në të nxënë dhe këto janë dëshmuar në testime të ndryshme”, ka deklaruar ministrja.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniq ka thënë se analfabetizmi qeveritar po prek edhe shkollat.

    Kreu i PDK-së ka theksuar se Kosova është këtë vit më keq se në vitet 2014 dhe 2018.

    Sipas Krasniqit, sot u konfirmuar rënia e thellë e rezultateve të nxënësve të Kosovës në testin PISA në lexim, matematikë dhe shkencë, që siç thotë ai kjo është e dhimbshme dhe e tmerrshme.

    “Analfabetizmi qeveritar po prek shkollat tona – në testin PISA, Kosova më keq se më 2014 e 2018.

    Sot u konfirmua rënia e thellë e rezultateve të nxënësve të Kosovës në testin e PISA-s në lexim, matematikë dhe shkencë. Kosova renditet, praktikisht, në fund të tabelës së 80 shteteve pjesëmarrëse. E dhembshme! E tmerrshme!

    Në secilën fushë ka rënie drastike të pikëve, krahasuar me vitin 2014 dhe vitin 2018, kur është mbajtur për herë të fundit testi PISA.

    Ne e kemi ditur, por tashmë edhe po dëshmohet, se qëllimi i kësaj Qeverie nuk ka qenë asnjëherë reforma arsimore e as përmirësimi i jetesës së qytetarëve tanë.

    Analfabetizimi qeveritar, fatkeqësisht, tashmë po shkatërron edhe shkollat tona!”, ka shkruar Krasniqi.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se këto rezultate ishin të pritshme, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami  ka theksuar se në tri vitet e fundit viti shkollor ka nisur me një muaj vonesë për shkak të menaxhimit të dobët dhe faktin se në krye të Ministrisë ndodhet një ministre, që siç ka thënë ajo ka shkelur Kushtetutën.

    Ajo ka renditur në katër pika arsyet që sipas saj kanë ndikuar që Kosova të dalë kaq poshtë:

    “1. Ministrja e Arsimit punën e parë si ministre e ka bërë duke shkelur Kushtetutën me kthimin prapa të reformës në arsim që e pati nisur Komuna e Kamenicës. 2. Veprimi i dytë i Nagavcit dhe i gjithë Qeverisë ka qenë mposhtja e SBASHK-ut dhe jo ngritja e cilësisë në arsim. Këtë betejë Qeveri-SBASHK e kanë paguar nxënësit, duke humbur mijëra orë mësimore”, ka shkruar Bajrami.

    “3. Shkelësja e Kushtetutës, pra ministrja Nagavci, bëri eksperimentin tjetër këtë vit me libra. Dhe, jemi në fund të gjysmëvjetorit të parë dhe ende ka nxënës që shkon me libra të pakompletuar në shkollë. 4. Sot, kur po e komentojmë këtë rezultat të PISA-s, MASHT-i me të dhëna të veta konfirmon se në vendin tonë rreth 73% e paraleleve dhe 33 % e shkollave nuk i plotësojnë kriteret ligjore për zhvillim të mësimit dhe ministrja ende s’ka ndërmarrë asnjë veprim për riorganizimin e rrjetit të shkollave”, shkruan ajo.

    Nga LDK ka reaguar edhe Jehona Lushaku.

    Ajo thekson se ka përkeqësim në të kuptuar në lexim e ka përkeqësim në matematikë dhe shkencë.

    “Ky është rezultati i saktë i një qeverie, që arsimin e sheh si sistem të dobësimit të shoqërisë, luftës politike dhe kontrollit të masës.

    A ju kujtohet kur thonin që do të ndërtojmë çerdhe dhe sot se kompletuan asnjë? Aty është zanafilla e të kuptuarit dhe leximit. Shumica fëmijëve të Kosovës ende nuk janë të përfshirë në sistemin parashkollor.

    A ju kujtohet kur 1050 shkolla me mbi 320 mije fëmijë humbën qindra mijëra orë mësimore për katër javë në fillim vitin 2022? Kryeministri nuk pranonte as që të fliste me arsimtarët grevistë. Performanca e arsimtarëve është garant i cilësisë në klasë e bazohet në motivimin që i siguron sistemi qeverisës.

    A ju kujtohet kur filloi viti shkollor 2023, e fëmijët shkuan pa tekste shkollore për javë të tëra? Qindra mijëra orë mësimore humbën pa pasur tekste dhe përmbajtje.

    Nuk ka si të ketë rezultate, nëse veç këto tri elemente merren për bazë. Kjo qeveri, arsimin e ka karrem kontrolli!”, shkruan Lushaku në Facebook.

    Për rezultatin e dobët në PISA kanë reaguar edhe nga AAK. Deputeti Pal Lekaj ka thënë se kjo është dhuratë nga Ministrja Nagavci dhe Qeveria Kurti.

    “Pa Vizion, Pa Strategji, Pa stimulim. Ditë e më keq për vendin e qytetarët”, ka shkruar Lekaj ndër të tjera.

    Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, vendin e 77-të nga 80 për shkencë dhe më së miri ka performuar në matematikë, duke u renditur e 73-ta nga 80 vende. /Repoteri.net/

    “PISA 2022″, Kosova sërish gati në fund për lexim e shkencë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!