×
  • Lajme
  • Lajme / Flet zëdhënësi Valmir Elezi

    KQZ: Kemi pranuar e-mail me formularin ku kërkohet shkarkimi i kryetarëve në katër komunat veriore

    Reporteri
    05 Dhjetor 2023 | 15:53
    Fotografi ilustruese nga arkivi.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjatë ditës së sotme ka pranuar katër email-a, ku tri prej tyre e kanë të bashkangjitur formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës.

    Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, i cili ka thënë këto shkresa që kanë pranuar do të trajtohen.

    “Mund t’iu konfirmoj se gjatë ditës së sotme, në disa e-maila zyrtar, kemi pranuar katër e-maile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni”, ka thënë Elezi për Reporteri.net.

    “Në këtë fazë, mund t’iu them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’iu informojmë për këtë”, tha ai.

    Serbët thonë se dorëzuan kërkesë për peticion për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri, pretendojnë se nuk u lejuan

    Protestat e qytetarëve serbë në komunat veriore, kundër kryetarëve shqiptarë, janë përshkallëzuar më 29 maj, kur ata janë përplasur me pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë KFOR.

    Si pasojë e përleshjeve janë plagosur mbi 100 persona, në të dyja palët.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova që të organizojë zgjedhje të reja në këto komuna.

    Në një marrëveshje të arritur në korrik mes Kosovës dhe BE-së, është paraparë edhe organizimi i zgjedhjeve.

    Më pas, në shtator, Ministria për Vetëqeverisje Lokale e ka publikuar një udhëzim administrativ që parasheh zëvendësimin e kryetarëve, përmes peticionit.

    Sipas atij udhëzimi, 20 për qind e votuesve në një komunë duhet të iniciojnë shkarkimin e kryetarit dhe mbledhja e atyre nënshkrimeve duhet të bëhet me vullnet të lirë dhe pa presion.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!