Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka thënë se nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për kërkesën që kanë paraqitur serbët në veri të Kosovës te kryesuesit e kuvendeve komunale të këtyre komunave për inicimin e peticionit për shkarkim të kryetarëve.
Në një reagim në Facebook, Ministri Krasniqi ka theksuar sërish se kërkesa për largim duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve me të drejtë vote dhe duhet t’i përmbajë të gjitha elementet sipas Udhëzimit Administrativ.
Ministri gjithasht usqaron se qytetarëve e interesuar për inicimin e kësaj procedure, themelojnë grupin nismëtar i cili para se të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve duhet të njoftojë Kryesuesin e Kuvendit Komunal i cili më pas njofton MAPL-në dhe KQZ-në.
“Udhëzimi Administrativ, përcakton qartë procedurën e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës.
Kërkesa për largim duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve me të drejtë vote dhe duhet t’i përmbajë të gjitha elementet dhe të dhënat sipas këtij Udhëzimi Administrativ. Qytetarët e interesuar për inicimin e kësaj procedure, themelojnë grupin nismëtar i cili para se të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve duhet të njoftojë Kryesuesin e Kuvendit Komunal i cili më pas njofton MAPL-në dhe KQZ-në.
Jemi në dijeni rreth raportimeve në media se janë mbledhur nënshkrime nga ‘një grup nismëtar’. Megjithatë, ju njoftojmë se në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë nismë nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale të Komunave respektive apo antarët e grupit inicues siç parashihet me këtë Udhëzim Administrativ”, ka shkruar Krasniqi.
KQZ: Kemi pranuar e-mail me formularin ku kërkohet shkarkimi i kryetarëve në katër komunat veriore
Në anën tjetër, nga KQZ kanë bërë të ditur se kanë pranuar katër email-a me formularin ku kërkohet shkarkimi i kryetarëve në katër komunat veriore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Reporteri.net se këto shkresa që kanë pranuar do të trajtohen.
“Mund t’iu konfirmoj se gjatë ditës së sotme, në disa e-maila zyrtar, kemi pranuar katër e-maile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë fazë, mund t’iu them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’iu informojmë për këtë”, tha ai për Reporteri.net./
KQZ: Kemi pranuar e-mail me formularin ku kërkohet shkarkimi i kryetarëve në katër komunat veriore