Ministri i Punëve të Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, gjatë qëndrimit në Kosovë ka vizituar edhe kampin e KFOR-it, ku është pritur nga komandanti Ozkan Ulutas.
Pamjet nga vizita janë publikuar nga KFOR-i në llogarinë zyrtare në rrjetin social “X”.
“Komandanti i KFOR-it , Ozkan Ulutas, priti Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron në kampin ‘Film City’, në Prishtinë”, thuhet në njoftimin për media.
#KFOR Commander, MG Özkan Ulutaş, welcomed the Secretary of State for Foreign, Commonwealth and Development Affairs of the United Kingdom, Lord David Cameron @David_Cameron 🇬🇧, at Camp Film City, in Pristina. pic.twitter.com/2vDXqYML0l
— NATO Kosovo Force – KFOR (@NATO_KFOR) January 4, 2024
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Cameron është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.
“Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve”.
“Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, ka deklaruar ai.
Gjatë një prononcimi për media me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, më 4 janar në Prishtinë, Cameron ka theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor duke thënë se Britania e Madhe po investon në këtë.
“Ne jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, një botë me konflikte të mëdha dhe është një kohë kur vendet, si Britania, duhet t’i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme dhe të investojnë në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por që tani po tregojnë shenja të mëdha të stabilitetit dhe progresit. Dhe, kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë të punojmë me ju”, ka thënë ai.