Kombëtarja e Kosovës në futboll po i pret me shumë telashe dy ndeshjet e shtatorit, të cilat do t’i zhvillojë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2020”.
Më 7 shtator “Dardanët” do ta presin në stadiumin “Fadil Vokrri” rivalen për vendin e dytë në grup, Çekinë. Kurse, më 10 shtator tanët do të luajnë si mysafirë të fuqisë angleze, e cila është favorite e madhe e grupit.
Mirëpo, këto dy përballje shumë të rëndësishme për të ardhmen evropiane Kosova po i pret me disa mungesa. Përpos Hekuran Kryeziut, Arbër Zenelit, Herolind Shalës dhe Milot Rashicës, futbollistë këta kyç të skuadrës, verdhekaltërve ka shumë mundësi t’u mungojë edhe ylli tjetër, Benjamin Kololli, për të cilin thuhet se ende nuk është i gatshëm për këto dy super-sfida.
Kjo situatë do ta detyrojë përzgjedhësin Bernard Challandes të bëjë shumë ndryshime në formacion. Mesfushori i Hannoverit, Florent Muslija, pritet t’i bashkohet për herë të parë ekipit verdh e kaltër dhe me shumë gjasë do të ndodh edhe debutimi i tij përballë çekëve.
Debutimi pritet edhe nga ana e Ibrahim Dresheviq, ndërsa me shumë gjasë sërish do të ftohet edhe Anel Rashkaj. Challandes pritet ta kthejë në ekip edhe Bernard Berishën, ndërsa do të llogarisë edhe në shërbimet e Valon Berishës, i cili është rikuperuar thuajse plotësisht nga lëndimi.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.