×
  • Lajme
  • Lajme / Blerja e armatimit

    Ministri i Mbrojtjes për raketat ‘Javelin’: SHBA në vazhdimësi ka mbështetur FSK-në

    Reporteri
    11 Janar 2024 | 21:50

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se gjatë këtyre ditëve, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar konfirmimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për furnizimin me sistemin raketor anti-tank “Javelin” me efikasitet të lartë veprimi, që është i nevojshëm për FSK-në. Ai tha se kërkesa për armatim është adresuar kryesisht nga vitit 2020.

    Maqedonci në RTK, tha se SHBA-të në vazhdimësi kanë qenë partneri kyç i Kosovës që e kanë përcjell në vazhdimësi zhvillimin e FSK-së dhe e kanë mbështetur tranzicionin e saj.

    “Në vazhdimësi prej vitit 2019 kur Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar zbatimin e planit të tranzicionit ne kemi vendos planifikimin në vend në mënyrë që të adresojmë kërkesat e nevojshme për të gjitha vendet me të cilat bashkëpunojmë në mënyrë që të furnizojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës me sisteme të armatimit. Në këtë aspekt gjatë gjithë kësaj kohe, e veçanërisht pas vitit 2020 kur në qeverinë Kurti 1 ne kemi filluar të adresojmë kërkesat e bashkëpunimit në aspektin e mbrojtjes për blerje ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këto ditë siç u bë ditur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranuan kërkesën për sistemin “ Javelin” që është një sistem raketor anti-tank modern dhe me efikasitet të lartë dhe që është pjesë e inventarit të nevojshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha ai.

    Sipas tij, ky vendim është i rëndësishëm veçanërisht duke pasur parasysh faktin që Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet në një forcë moderne dhe të gatshme për të realizuar detyrat e saj ndër të cilat është edhe mbrojtja e territorit.

    Ai bëri me dije se programi i bashkëpunimit me SHBA parasheh edhe blerje të tjera.

    “Po sistemet do të blihen bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit…Aktualisht jemi në fazën e zhvillimeve të kapaciteteve të këmbësorisë që do të jenë të gatshme për të zhvilluar operacione luftarake, e për të kaluar në fazën tjetër që do të jetë faza e kapaciteteve kundërajrore, faza e mbështetjes ajrore dhe faza e zhvillimeve të kapaciteteve logjistike të FSK-së”, deklaroi Maqedonci.

    Sipas tij, janë bërë hapa shumë më përpara, sidomos siç tha ai, mbështetja e vazhdueshme nga kryeministri Kurti, që me buxhet shtesë gjatë këtyre tri viteve të fundit, ka ndihmuar në mënyrë shumë të ndjeshme zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe i ka mundësuar Ministrisë së Mbrojtjes që të mbështes këto kapacitete.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!