×
  • Lajme
  • Lajme / Për të gjitha patrullat

    Pajisja e Policisë me armë të gjata: “Meritat e Prindonit për Osmanin”, deklarata e Sveçlës dhe reagimi i Serbisë

    Reporteri
    13 Janar 2024 | 11:39

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të premten bashkë me Drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë pritur në Aeroportin e Prishtinës ngarkesën me armë të gjata, me të cilat do të pajiset secila patrullë e Policisë së Kosovës.

    Sveçla ka deklaruar se blerja e këtyre armëve do të rris efikasitetin në luftimin e krimit, shkruan Reporteri.net.

    “Nga sot të gjitha patrullat e Policisë së Kosovës do të pajisen me armë të gjata.Me blerjen e këtyre armëve për të gjitha patrullat policore anekënd Republikës së Kosovës rritet efikasiteti në luftimin e krimit me çka mundësohet një ambient më i sigurt, rend publik më i qetë dhe më shumë siguri për zyrtarët tanë policorë”, thotë ministri në postimin e tij në Facebook.

    Ministri ka falënderuar shtetin kroat për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrekt me institucionet e Republikës së Kosovës.

    “Meritat bashkëshortes”

    Ardhjen e armëve të gjata për Policinë, Prindon Sadriu, ia ka faturuar si meritë bashkëshortes së tij, njëhjerit, presidentes Vjosa Osmani, shkruan Reporteri.net.

    Ai në profilin e tij në Facebook ka postuar një foto të presidentes Osmani nga kompania ‘HS Produkt’, të cilën e kishte vizituar në tetor të vitit të kaluar.

    “Tetor 2023: Vizita e Presidentes në kompaninë ‘HS Produkt’ në Karlovac të Kroacisë. Sot, të gjitha patrullat e Policisë së Kosovës pajisen me armë të gjata nga kompania ‘HS Produkt’”, ka shkruar Sadriu.

    Reagimi i Serbisë

    Ashtu siç mund të pritej, ka ardhur reagimi i Serbisë,  me çrast ministri i Brendshëm serb, Bratisllav Gashiq, ka pohuar se pasjisja e Policisë së Kosovës me armë të gjata  “është jashtëzakonisht provokues dhe i rrezikshëm për rritjen e tensioneve”.

    Sipas Gashiqit, armët e gjata nuk përdoren në patrullat e rregullta të trafikut, e as gjatë kontrolleve të rregullta të qytetarëve.

    Sipas Gashiqit, ky njoftim i Sveçlës, “kriminalizon popullatën serbe” në Kosovë.

    Gashiq akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po vazhdon me politikën “e instalimit të frikës dhe dhunës kundër popullatës serbe”.

    Armët e gjata prodhim i Kroacisë – transporti u krye nga një Kompani e Ukrainës

    Ngarkesa me armë nga Zagrebi për në Prishtinë është bërë me një aeroplan “Antonov” që i përket një kompanie ukrainase të fluturimit e quajtur “Cavok Air” me seli në Kyiv.

    Armët e gjata të cilat janë blerë nga Qeveria e Republikës së Kosovës e me të cilat tashmë do të jenë të pajisur secila patrullë e Policisë së Kosovës janë prodhim kroat i kompanisë “HS”.

    Lloji i kësaj arme të gjatë sipas paketimit që mund të shihet në fotografitë e publikuara nga Sveçla është VHS-2 e cila ka një kalibër 5.56. Lloji i kësaj arme ka dy versione. Një është VHS-2D 500 mm me rreze efektive deri në 800 m dhe VHS-2K 410mm standarde.

    Këto armë vijnë Kosovë një ditë pasi u bë publike se Kosova ka porositur blerje të antitankëve “Javelin” për FSK’në në SHBA. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!