×
  • Lajme
  • Lajme / Lëvizja pa viza

    Nga Qeveria dalin sërish kundër rekomandimit të KE-së: Liberalizimi me pasaporta serbe qëllimkeq

    Reporteri
    13 Janar 2024 | 19:32

    Qeveria e Kosovës i ka reaguar sërish Komisionit Evropian sa i përket përpjekjeve që Komisioni po bën për të lejuar serbët e Kosovës që me pasaporta të Serbisë të udhëtojnë lirshëm në BE.

    Këshilltari i zv/kryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu ka thënë se Republika e Kosovës ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga Bashkimi Evropian në lidhje me letrën e dërguar në muajin nëntor nga zëvendëskryeministri Bislimi.

    “Në vazhdimësi kemi theksuar se ky propozim i KE-së kontribuon negativisht në integrimin e komunitetit serb krahas edhe interesit të tanishëm të lartë për pajisje me pasaporta pas liberalizimit të vizave, por edhe kërkon të legjitimojë pasaporta ilegale të cilat shkelin sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Kadiu për RTK-në.

    Ai ka shtuar se si qeveri, do të vijojnë angazhimin në ndaljen e këtij propozimi, siç theksoi, të dëmshëm e qëllimkeq, derisa ftojnë të gjithë qytetarët nga komuniteti serb të vijojnë të aplikojnë e pajisen me pasaporta të Republikës së Kosovës.

    Më herët gjatë ditës zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të brendshme Anitta Hipper, deklaroi se KE pret që të miratohet propozimi që edhe serbëve të Kosovës me pasaporta të Serbisë t’i mundësohet lëvizja pa viza në zonën Schengen.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 20 nëntor ia dërgoi një letër Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së ku thotë se ky propozim shkel sovranitetin e Kosovës, pengon integrimin e serbëve në Kosovë dhe hap rrezikun e përdorimit të të dhënave të pasakta çka paraqet edhe kërcënim të sigurisë.

    “Lëshimi i pasaportave nga Qendra ilegale koordinuese e Serbisë, që i konsideron komunat në Kosovë si pjesë e juridiksionit të Serbisë, është shkelje serioze e sovranitetit”, thuhet në letrën e Qeverisë së Kosovës, ku rikujtohet se Bashkimi Evropian e ka konsideruar Kosovën si të vetmin autoritet legjitim për regjistrin civil me të drejtë të lëshimit të pasaportave për qytetarët që jetojnë në hapësirën e saj.

    Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë pretendimet se serbët nuk do të përfshiheshin në liberalizimin e vizave pasi ata, me procedurë të përshpejtuar dhe të thjeshtëzuar, mund të pajisen me pasaporta të Kosovës.

     

    Komisioni Evropian insiston që serbët e Kosovës me pasaporta serbe të udhëtojnë pa viza

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!