Janë bërë gati dy muaj nga vrasja e Liridona Ademajt në fshatin Bërnicë të Prishtinës, ku në mesin e të dyshuarve është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Emri i këtij të fundit, por edhe në përgjithësi çifti Liridona e Naim, është lidhur ngushtë me biznesmenin Behgjet Pacolli. Kjo pasi kreu i AKR-së ishte kumbara i çiftit dhe fëmijës së tyre, derisa i dyshuari ka qenë ish-këshilltar i tij dhe një nga personat më të afërt të ish-Ministrit të Jashtëm.
Derisa Prokuroria Themelore në Prishtinë po vazhdon të hetojë rastin që tronditi vendin, gazeta online Reporteri.net është interesuar nëse Behgjet Pacolli është ftuar deri më tash për intervistim rreth krimit makaber të 29 nëntorit 2023, duke qenë i njëjtit ka pohuar vetë se ka pasur lidhje të afërt me çiftin.
Por, nga kjo Prokurori nuk i janë përgjigjur konkretisht pyetjes, duke arsyetuar se janë duke u zhvilluar hetimet dhe se në këtë fazë nuk mund të japin informata tjera.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se ndaj rastit në fjalë janë duke u zhvilluar hetime, andaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor”, tha zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj për Reporteri.net.
Sëmundja dhe raporti “special” i Naim Murselit me Behgjet Pacollin
Përkundër afërsisë me çiftin, Behgjet Pacolli ngushëllimet ndaj familjes për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj i kishte shprehur vetëm përmes rrjeteve sociale, pasi i njëjti nuk ishte i pranishëm në ditën e varrimit, duke arsyetuar se ndodhet në udhëtim jashtë vendit.
“Naim Murselin e njoh prej vitesh, duke filluar nga momenti kur ai m’u ofrua si adoleshent, pas një sëmundje qe kishte perjetuar. Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019”, kishte shkruar Pacolli pak ditë pas ngjarjes tragjike të vrasjes së Liridona Ademajt.
Tutje ai kishte treguar se raporti i tyre ka qenë edhe më i fortë, meqë kanë qenë edhe kumbar të një prej fëmijëve të çiftit.
“Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, une dhe shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time”, ka shkruar Pacolli.
Gazeta Online Reporteri.net ka provuar të kontaktojë kreun e AKR-së, për të marrë një deklaratë rreth rastit të vrasjes së Liridonës dhe raportit me viktimën dhe të dyshuarin Naim Murselin, por që i njëjti nuk është i përgjigjur asnjëherë thirrjes së mediumit. Po ashtu, Pacolli ishte pyetur edhe nëse është ftuar për intervistim dhe nëse është i gatshëm të deklarohet para hetuesisë në lidhje me çiftin. Pyetje të ngjashme, Gazeta Online Reporteri.net, ka dërguar edhe tek ish-shefi i stafit të ish-kryediplomatit Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj, por që as ai kurrë nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e parashtruara.
Megjithatë, në një nga disa reagimet e tij për këtë rast, Pacolli kishte thënë se s’do të mendonte kurrë që Naim Murseli të përfundonte në një akt të tillë tmerrues.
“Nuk kam pasuar dijeni për ndonjë precedent konflikti për Naimin. Jam i prirur të besoj vetëm në anën pozitive të njerëzve dhe nuk do të mendoja kurrë se ai do të përfundonte në një akt kaq tmerrues”, ka shtuar mes tjerash njeriu më i pasur në Kosovë.
Pikërisht ky raport, më 2014 e kishte çuar Pacollin në Uddevalla të Suedisë ku deri më tani ka jetuar Murseli dhe familja e tij.
Gazeta suedeze Expressen kishte shkruar për qëndrimin e Pacollit atje. Raportohej se “Vizita në Suedinë Perëndimore vjen pasi këshilltari komunal i Uddevalla Magnus Jacobsson (KD) dhe Naim Murseli, kandidat për deputet (KD), shqiptar nga Kosova dhe mik i Pacollit, vizituan së fundmi Kosovën. Tani pritej një vizitë e kthimit për të diskutuar bashkëpunimet e mundshme në teknologji dhe energji. Pacolli vizitoi të enjten Kynningsrud dhe Uddevalla Energi AB”.
“Ka mundësi të mira për investime në Kosovë. Përveç kësaj, ne kemi marrë dy zona të tregtisë së lirë në vend, të cilat duhet të jenë interesante për kompanitë suedeze dhe skandinave”, citohej të ketë thënë Behgjet Pacolli, që po vizitonte kompanitë në Goteborg.
Liridona Ademaj u vra në mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Bërnicë, për të cilën një nga të personat që dyshohet se kreu këtë akt, Granit Plaka tha se ka marrë nga Naim Murseli një shumë prej 30 mijë euro, të ndarë në dy pjesë.
Rasti fillimisht u cilësua ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’, pasi të dyshuarit, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, kishin inskenuar ngjarjen që të paraqitet si grabitje e armatosur.
Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes. Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.” “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”- thuhet në dosje.
“Naim Murseli i ka treguar te pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit të këtij viti rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi.”
Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me masë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera Liridona Murseli.
Lidhur me pretendimin e prokurorisë se Murseli kishte ikur nga vendi i ngjarjes, ishte deklaruar vetë i dyshuari në seancën dëgjimore duke thënë se ai nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe se kishte qenë vetë i rrezikuar.
“Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë” – thuhet se kishte thënë i dyshuari sipas vendimit të gjykatës. Ndërsa avokati i tij, Ahmet Ahmeti kishte thënë se Naim Murseli nuk e ka kryer veprën penale në vend, kohë dhe mënyrë siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë dhe nuk është i përfshirë në vrasje.
Përveç Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, për rastin e njëjtë, pak ditë më vonë është arrestuar edhe një person i katërt. /Reporteri.net/.