Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në konferencën për media sot ka përsëritur thirrjen që Kosova ta shtyjë vendimin për dinarin, rregullore kjo e marrë nga Banka Qendrore e Kosovës, shkruan Reporteri.net.
“Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje se bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme… ne jemi të shqetësuar që Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se ne të gjithë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak e vërtetë”, tha Hovenier.
“Mesazhet e mia ishin të qarta. Ne nuk po sfidojmë institucionet e Kosovës, por po i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të shtyjë vendimin”, tha mes tjerash ambasadori Hovenier.
Hovenieri mes tjerash e ka bërë të qartë se çështja me dinarin “ka ndikuar në partneritetin e SHBA-së me Kosovën”, duke demantuar eksponentë të Qeverisë të cilët e kanë thënë të kundërtën.
Deklaratat e ashpra të ambasadorit amerikan në Prishtinë vijnë një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi t’i hedhë poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
“Më lejoni të theksoj sa problematik është ky moment saqë se qeveritë tona nuk duket se po punojnë në partneritet me njëra-tjetrën. Prandaj, dua që t’i shmangim gjëra të tjera si këto”, tha Hovenier.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, ishte shprehur Kurti të mërkurën.
Hovenier, në konferencë, ka përmendur edhe thirrjen e para disa ditëve të ndihmës sekretarit të Shtetit, James O’Brien.
“O’Brien ia bëri të qartë qëndrimin tonë edhe kryeministrit Kurti. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë”, tha ai.
O’Brien paralajmëroi të martën se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
Hovenier, edhe më herët është deklaruar se pavarësisht se vendimi për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin vetëm të valutës euro për pagesa në Kosovë është marrë më 27 dhjetor 2023, por u kumtua në janar të këtij viti, Washingtoni nuk ka qenë i informuar paraprakisht për të./Reporteri.net/.