Anëtari i bordit të Eintracht Frankfurtit, Axel Hellman, dëshiron që skuadrës së tij, gjysmëfinaliste e edicionit të kaluar, t’i bie shorti në të njëjtin grup me Manchester Unitedin në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
Klubi i Bundesligës, Eintracht, ka kaluar në fazën e grupeve të Ligës së Evropës për të dytin sezon radhazi, falë fitores me rezultat 3:0 të enjten kundër Strasbourgut, transmeton Gazeta Express.
Eintrachti e kishte humbur ndeshjen e parë me rezultat 1:0, mirëpo klubi gjerman arriti ta përmbysë rezultatin në fitore me rezultat të përgjithshëm 3;1, kur të dyja skuadrat luajtën me nga dhjetë lojtarë.
Të drejtuar nga Luka Jovic dhe Sebastian Haller – të cilët që nga atëherë janë transferuar në Real Madrid dhe West Ham – Eintrachti arriti në gjysmëfinale të sezonit të kaluar, para se të humbnin kundër Chelsea në gjuajtje të penalltive.
Gjiganti i Premierligës dhe fituesi i Ligës së Evropës 2017, Manchester Unitedi, është në vazon e parë për shortin e së shtunës, ku Eintrachti është në vazon e dytë.
“Ne e pamë një spektakël të mbushur me dramë sot”, ka thënë Hellmann.
“Atmosfera këtu është diçka e veçantë dhe kjo ua jep lojtarëve një motivim shtesë. Është e vështirë ta krahasosh këtë me Bundesligën”.
“Do të më pëlqente të luajmë kundër Manchester Unitedit në fazën e grupeve. Kjo do të ishte një ëndërr për ne, siç ishte edhe të luajmë kundër Chelseat sezonin e kaluar”.
Manchester Unitedi kishte shpresuar se do ta siguronte një vend në Ligën e Kampionëve për këtë sezon, mirëpo “Djajtë e kuq” u detyruan të mjaftohen me Ligën e Evropës, pasi që sezonin e kaluar e mbyllën në vendin e gjashtë në tabelën e Premierligës