×
  • Lajme
  • Lajme / Përvjetori i Pavarësisë

    16 vjet shtet, momentet më të rëndësishme të Republikës së Kosovës

    Reporteri
    16 Shkurt 2024 | 22:43

    Republika e Kosovës nesër (17 shkurt) shënon 16 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

    Në një të diele të acartë të shkurtit të vitit 2008, në ora 15:39, deputetët e Kuvendin të Kosovës shpallën shtetin e ri.

    Po ashtu ditë u bënë publike për herë të parë flamuri dhe simbolet e shtetit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

    Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

    Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 109 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. 11 deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. 9 përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.

    Versioni origjinal i papirusit të deklaratës është nënshkruar nga delegatët po atë ditë. Teksti i deklaratës në gjuhën shqipe është i vetmi tekst autentik.

    Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin.

    Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës është Muhamer Ibrahimi.

    Njohjet e para ndërkombëtare të Kosovës

    Në ditën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosta Rika njohu pavarësinë duke u bërë kështu shteti i parë që e njeh shtetësinë e Kosovës.

    Pa kaluar ende 24 orë Kosova njihet edhe nga shteti më i fuqishëm në botë SHBA-ja.

    Më 18 shkurt 2008, shtetësinë e Kosovës e njohin po ashtu edhe Franca, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe dhe Afganistani.

    Ndërsa më 19 shkurt Kosova pranon edhe dy njohje të reja. Australia dhe Senegali njohën shtetin më të ri në Evropë dy ditë pas shpalljes së pavarësisë.

    Kështu vetëm gjatë viti të parë Kosova u njoh nga 55 shtete nga e mbarë bota.

    Ndërsa deri më sot sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosova është njohur nga 117 shtet.

    Njohja e fundit erdhi nga Izraeli. Izraeli e njohu Kosovën në shkurt 2021, si rezultat i marrëveshjes së Uashingtonit e cila ishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

    Ndërsa tash e tri vite Kosova nuk ka pranuar asnjë njohje të re, shkruan Reporteri.net.

    Njohjen e pavarësisë së Kosovës e karakterizojnë tri periudha. Periudha e parë është ajo e viti 2008 ku njohjet erdhën pothuajse nga të gjitha shtetet aleate. Në periudhën e dytë më shumë njohje erdhën nga vendet e Azisë dhe Afrikës. Ndërsa në periudhën e tretë shtetësia e Kosovës njihet nga një numër më i vogël i shteteve.

    Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur nga 117 shtete nga 193 anëtarët e OKB-së, prej 3 nga 5 shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kosova njihet edhe nga 22 prej 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, nga 26 prej 30 shtete anëtare të NATO-s dhe nga 36 prej 56 shtete të OSBE-s. Shtetësinë e Kosovës e njohin edhe 34 nga 47 vende anëtare të Këshillit të Evropës dhe nga të gjitha vendet të G7.

    Fitorja në GJND

    Shpallja e pavarësisë së Kosovës, ashtu siç pritej shkaktoi edhe zemërimin e Serbisë. Serbia u ankua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) nori vendimin historik për legalitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

    Para 14 vitesh, në 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

    “Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

    Kjo ishte fitorja më e madhe ndërkombëtare e Republikës së Kosovës, e cila i hapi rrugë forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe vulosi të drejtën e kosovarëve për vetëvendosje.

    Ky vendim ka trasuar rrugën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB.”

    Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

    “Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

    Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

    Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    Krijimi i Ushtrisë së Kosovës

    Ushtria Çlirimtare e Kosovës nisi transformimin e saj në ushtri në vitin 1999, në një proces që do zgjaste disa vjet. Fillimisht ishin trupat mbrojtëse të Kosovës të cilat mision kryesor kishin mbrojtjen e vendit kryesisht nga fatkeqësitë natyrore.

    Me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999 nisi edhe transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës me një proces që përfundoi në vitin 2000.

    Më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashikohej edhe shpërbërja e TMK-së, dhe krijimi i një force të re.

    Shpërbërja e Trupave Mbrojtëse të Kosovës është bërë me pajtimin e të gjithë faktorëve kryesorë vendorë dhe të huaj. Më 21 janar të vitit 2009 u krijua Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila kishte përgjegjësi përballjen me katastrofat e rënda, si tërmetet, përmbytjet apo zjarret. Deri më tani, misioni i FSK-së ishte kryerja e operacioneve të reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj; operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës; si ndihma ndaj autoriteteve civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera. Më 4 mars të 2014-ës, Qeveria asokohe e drejtuar nga Hashim Thaçi pati marrë vendim për transformimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, në ushtri të Kosovës.

    Në dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar përfundimisht tri ligjet, me të cilat u mundësia  transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

    Ndonëse emri i FSK-së nuk pëson ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara i dhanë FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.

    Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Arritjet në sport

    17 shkurti i vitit 2008 – nuk simbolizon vetëm shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Është më shumë se kaq. Nga – ajo ditë, sporti kosovar doli nga izolimi. Shumë suksese, medalje, trofe kanë zbritur që nga atëherë – në tokën dardane. Kufijtë u “zhdukën” për sportet.

    Pranimi i Kosovës në FIFA

    Me 23 maj të vitit 2012, Kosova u bë pjesë e FIFA-s, që mbetet një vulë e pashlyeshme në historikun e sportit vendor.

    Fadil Vokrri, që asokohe ishte i pari i FFK-së, me lot në sy kishte falënderuar të gjithë njerëzit që e bënë të mundur këtë sukses.

    “I falënderoj të gjithë që na kanë mbështetur, administruesit, lojtarët dhe ata që i duartrokitën këtij vendimi. Lojtarët e vendit tim kanë pritur mjaft gjatë për këtë vendim, që të jenë pjesë e familjes së futbollit. Po flasim për një regjion që jo larg ka kaluar nëpër luftë dhe po flas në emër të atij regjioni, duke iu përkushtuar vlerave të FIFA-s”.

    Ky pranim në shtëpinë më të madhe të futbollit – i hapi rrugën Kosovës që pastaj të garojë për kualifikimet e Kupës së Botës, që u mbajt në vitin 2018 – në Rusi.

    FBK-ja u pranua në FIBA

    14 marsi i vitit 2014 – ishte dita kur basketbolli i Kosovës e mori lajmin më të madh që nga paslufta.

    Federata e Basketbollit të Kosovës u pranua në FIBA.

    Në mbledhjen e mbajtur në Gjenevë, u vendos që FBK-ja të jetë pjesë e shtëpisë së basketbollit.

    Pasi një kërkese për anëtarësim të dërguar me 5 shkurt, përgjigja doli të jetë pozitive.

    “Federata e Basketbollit e Kosovës me këtë rast dëshiron të falënderojë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s, Sekretarin e Përgjithshëm të FIBA-s, z. Patrick Baumann, Kryetarin e FIBA Evropës, Turgay Demirel, si dhe të gjithë zyrtarët e organizatës botërore të basketbollit që kanë kontribuar në marrjen e këtij vendimi”, thuhej në njoftimin e dhënë nga FBK-ja.

    Që nga atëherë, Përfaqësuesja e Kosovës – ka pasur fatin që të marrë pjesë në disa parakualifikime.

    Por, qëllimin për të siguruar një biletë për Kampionat Botëror ose Evropian nuk e kanë arritur dot.

    Ama, gjithsesi, ndër vite sukseset në nivel ekipi nuk kanë munguar.

    Kosova – pranohet në Komitetin Ndërkombëtar

    Viti 2016 – ishte fillimi i lavdisë së Kosovës – në xhudo.

    Por, që të arriheshin sukseset e mëvonshme, fillimisht Kosova u deshtë të pranohej në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

    Ky synim u arrit në sesionin e 127-të të KON-it, i cili u mbajt në Monako, më 9 dhjetor 2014

    Pranimi në KON u hapi rrugën shumë federatave sportive në Kosovë të anëtarësohen me të drejta të plota në federatat përkatëse ndërkombëtare.

    Bordi Ekzekutiv i IOC-së, kishte vënë në dukje se Komiteti Olimpik i Kosovës i kishte përmbushur kërkesat për pranim të përshkruara në Kartën Olimpike.

    Aty u përfshinë kriteret sportive dhe teknike si dhe përkufizimin e “vendit”, sipas përcaktimit në Rregullin 30.1 – “një shtet i pavarur i njohur nga bashkësia ndërkombëtare”.

    Medalja e parë – e artë

    Xhudistja nga Peja, Majlinda Kelmendi  e shkroi historinë – në vitin 2016 – kur në Rio e rrëmbeu medaljen e artë – në Lojërat Olimpike. E para për shtetin e Kosovës.

    Ky triumf historik – ishte edhe një tregues i mentalitetit të kampiones – që ka Kelmendi dhe një “hakmarrje”. Ishte hakmarrje sepse Majlinda e mposhti në çerekfinale Christianne Legentil, nga e cila kishte pësuar humbje në vitin 2012 në Lojërat Olimpike të Londrës.

    Ky triumf i saj ishte vetëm fillimi i një karriere të bujshme – gjatë të cilës ajo e “sundoi” botën dy herë, ishte katër herë “mbretëreshë” e Evropës dhe doli fituese e katërfishtë në Grand Slamin e Parisit.

    Liberalizimi i vizave

    Këtë vit, pas shumë vitesh izolim qytetarët e Kosovës udhëtojnë pa viza në 26 vendet e zonës Schengen, ndonëse Komisioni Evropian, që në 2018-n e ka konfirmuar disa herë se Prishtina zyrtare i ka përmbushur të gjitha kushtet për lëvizjen e lirë, por disa shtete anëtare kanë shprehur rezerva dhe i mbajtën të izoluar kosovarët.

    Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

    Pak javë pas liberalizimit të vizave edhe Spanja, një vend që nuk e njeh Kosovën i njohu pasaportat e saj, duke e mundësuar kështu udhëtimin e qytetarëve.

    Më 1 janar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, u organizua udhëtimi i parë i 50 qytetarëve, që fituan udhëtimin drejt Vjenës së Austrisë në kuadër të të një fushate informuese të autoriteteve lidhur me liberalizimin e vizave. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!