Diplomati britanik dhe ish-shefi i NATO-s, Lordi Robertson në një intervistë për BBC-në ka folur për raportet me presidentin rus Vladimir Putin dhe ndryshimin e tij të menjëhershëm.
Të shtunën bëhen dy vjet qëkur Putini nisi luftën në Ukrainë, por shumë diplomatë perëndimorë vazhdojnë ende të pyesin se ku shkoi keq për këtë ndryshim të madh të Putinit.
“Putini me të cilin u takova, bëmë punë të mira, themeluam Këshillin NATO-Rusia, por është krejt ndryshe me megalomaniakun e këtyre ditëve”, ka thënë Lordi Robertson në një intervistë me redaktorin e BBC-së për Rusinë, Steve Rosenberg.
“Njeriu që qëndroi përkrah meje në majin e vitit 2002, bash përkrah meje, dhe thoshte se Ukraina është shtet sovran e i pavarur, që duhet të marrë vetë vendimet për sigurinë, tani është ai që thotë se [Ukraina] nuk është shtet komb”, ka thënë ish-shefi i NATO-s mes viteve 1999-2003, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Diplomati madje kujton momentin kur Putini po mendonte anëtarësimin e Rusisë në NATO.
“Në takimin e dytë me Putinin, ai më tha fiks kështu: ‘Kur do ta ftoni Rusinë që të anëtarësohet në NATO?’ I thashë: ‘Ne nuk ftojmë shtete për t’u anëtarësuar, ato aplikojnë’. Dhe ai më tha; ‘Epo, nuk do të qëndrojmë përkrah disa shteteve që nuk kanë rëndësi’”.
Lordi Roberton ka thënë se nuk mendon se Putini njëmend donte të aplikonte për anëtarësim në NATO.
“Donte që t’i prezantohej, sepse mendoj se ai gjithmonë dhe vazhdon të mendojë se Rusia është shtet i madh në skenën botërore dhe i duhet respekt që kishte Bashkimi Sovjetik”, ka thënë Lordi Robertson për BBC-në.
Ai është i mendimit se Bashkimi Sovjetik dikur njihej si superfuqia e dytë në botë, por Rusia nuk mund të ketë pretendime të tilla në ditët e sotme.
“Mendoj se kjo e hëngri egon e [Putinit]. Kombinoje këtë me dobësinë, ndonjëherë, të Perëndimit dhe në shumë mënyra me provokimet me të cilat u përball, si dhe egon e tij në rritje. Mendoj se kjo e ndryshoi individin që donte të bashkëpunonte me NATO-n në dikë që tani e sheh NATO-n si kërcënim të madh”, ka thënë veç të tjerash Lordi Robertson.