×
  • Lajme
  • Lajme / Vendim

    U vazhdohet paraburgimi tre të dyshuarve që morën pjesë në sulmin terrorist në Banjskë

    Autor:Fortuna Shkodra Haliti
    23 Shkurt 2024 | 15:00

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se u është vazhduar paraburgimi edhe për 2 muaj tre të dyshuarve që morën pjesë në sulmin terrorist në Banjskë, Dushan Maksimoviqit, Vladimir Toliqit dhe Blagoje Spasojeviqit.

    Siç njoftoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi, paraburgimi për ta do të zgjasë deri më 24 prill të këtij viti.

    “Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T, B.S dhe D.M  iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muajve, për secilin. Masa e paraburgimit të njëjtëve iu është vazhduar deri me datë 24.04.2024”, tha Gashi për gazetën online Reporteri.net.

    Në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit thuhet se të pandehurit Vladimir Toliq dhe Blogoje Spasojeviq me një grup tjetër ende të paidentifikuar, në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, me dashje, pasi hynë ilegalisht në Kosovë, me dhjetëra vetura të mbushura me armatim, bllokuan rrugën me dy kamioneta me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj sulmuan me granata dhe armë të ndryshme.

    Ndërkaq, i pandehuri tjetër Dusan Maksimoviq, sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, me dashje u ka ofruar ndihmë pjesëtarëve të grupit të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

    Në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë zyrtarin policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre sulmues.

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, së fundmi bëri të ditur se të dyshuarit që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, janë shpallur në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të INTERPOL-it.

    “Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë”, tha ai mes tjerash.

    INTERPOL-i me urdhër-arrest ndërkombëtar për të gjithë terroristët e Banjskës

    Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila e mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin prej atëherë, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.

    Dosja e INTERPOL-it për Radoiçiqin – dënimi i mundshëm maksimal: Burgim i përjetshëm

    Po ashtu, më 7 dhjetor 2023, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim për Radoiçiqin, në lidhje me sulmin në Banjskë.

    Ai shtoi se fletarrestimi është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

    Meqë Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, fletarrestimet ndërkombëtare lëshohet përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.

    Reagimi i fundit karshi këtij sulmi, erdhi nga senatorja amerikane, demokratja Jeanne Shaheen, e cila tha se Millan Radoiçiqi duhet të arrestohet dhe të përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjet e shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

    “Unë mendoj se ata duhet ta arrestojnë Radoiçiqin dhe ta çojnë në burg. Ai e ka pranuar përfshirjen e tij dhe ajo çfarë ndodhi më 24 shtator, vrasjet [e një polici të Kosovës dhe tre sulmuesve serbë], tani ai duhet të mbahet përgjegjës për këto veprime. Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë për këtë çështje”, tha ajo gjatë një paneli që kishte në fokus situatën në Ballkan./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!