Kateryna Dmytryk e ka pritur një moment për gati dy vjet – aq sa i ka jetë edhe i biri i saj.
Krah për krah vrapuan. Timuri dyvjeçar ishte më përpara në rrugën plot borë. Një burrë hollak dhe ftyrëzbehur vraponte drejt tyre. Artem Dmytryk nuk e kishte parë familjen që 24 muaj. Krejt këtë periudhë e kaloi si i burgosur i Rusisë, shkruan Associated Press.
Ai kapi të birin. Kateryna shtrëngoi duart e tij, vetëm sa për ta siguruar veten se kjo nuk qe ëndërr. Të tre u përqafuan, u puthën dhe qeshnin, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Kateryna kishte varrosur nënën dhe kaloi shumë postblloqe ruse. Krejt këto momente mendonte më të keqen për bashkëshortin. Ajo e dinte se plagët do të duheshin kohë për t’u shëruar, por në këtë moment e la veten që të qeshte.
Kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, jetët e miliona ukrainasve kanë ndryshuar rrënjësisht. Si familja Dmytryk, jeta e ukrainasve është ndarë në dy periudha: para dhe pas 24 shkurtit 2022. Mijëra familje kanë varrosur më të dashurit e tyre. Miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Krejt shteti është përfshirë në luftën e gjatë dhe shumë të lodhshme.
Edhe nëse arrihet paqja, lufta ka shkërmoqur realitetin për gjeneratat që do të vijnë.
Për Katerynan, lirimi i burrit ka sjellë një copë drite për jetën e familjes së saj. Mirëpo ajo e di se e kaluara e tyre në këto dy vjet, do të qëndrojë me ta përgjithmonë.
“Na janë vjedhur dy vjet të jetës. Në këto dy vjet kemi jetuar si në ferr”, thotë Kateryna.
Jeta normale
Familja Dmytryk sapo kishte nisur jetën tamam si tre anëtarësh kur krisi lufta. Kateryna dhe Artem u njoftuan të rinj në qytetin e tyre Berdiansk në juglindje të Ukrainës. U pëlqyen fort dhe nisën të takoheshin. Më vonë, ai shkoi në ushtri dhe nisi të punonte si rojë kufitare. Në maj të vitit 2021, u martuan dhe pritën ardhjen e të birit Timurit.
“Ishte jetë e qetë familjare, thjesht normale”, thotë Kateryna.
Ishte Dita e Shën Valentinit më 2022 kur Artem mori një thirrje nga ushtria. Do të ishte vazhdimisht në detyrë. Mbrëmjeve nuk do të kthehej më në shtëpi. Kateryna nuk mendoi shumë për këtë.
Artemi për herë të fundit në shtëpi ishte më 23 shkurt, një ditë para se të kriste lufta. I kërkoi asaj që të shkonte me të sepse nuk donte ta linte fikall vetëm. “Nuk e mendoja se lufta do të bëhej kaq e madhe”.
Në orët e para të 24 shkurtit, Kateryna u trondit nga të qarat e papritura të Timurit. “Ishte sikur çdo ukrainas u zgjua në të njëjtën orë nga zhurma e shpërthimeve”.
Në panik dhe gjendje shoku, ajo i telefonoi Artemit. Ai e udhëzoi që të mblidhte gjërat dhe të ikte te shtëpia e prindërve të saj. Ishte i shqetësuar për fuqinë e anijeve ruse dhe kishte frikë se luftimet do të nisnin edhe në Berdiansk.
Brenda disa ditësh, forcat ruse kishin pushtuar Berdianskun dhe zonën përreth. Artem rrallë mund të ishte në kontakt – vetëm përmes lajmeve Kateryna mësoi se çfarë po ndodhte në Mariupol. Qyteti ishte i rrethuar, mijëra banorë u bllokuan dhe një nga betejat më të përgjakshme të luftës po zhvillohej në këtë qytet.
Në bisedat e shkurtra që arritën, Artemi i tha: “Gjithçka do të jetë mirë. Ukraina do të ngadhënjejë”.
Disa telefonata zgjatën vetëm një minutë. Një herë, Artemi i kërkoi asaj të bënte një foto të Timurit çdo ditë, kështu që një ditë ai mund të shihte se si po rritej djali i tij. “Do të kthehem, do të kthehem patjetër”, e siguronte bashkëshorten e tij.
Por Kateryna nuk mund të flinte pasi situata në Mariupol u bë më e rëndë. Ajo i kaloi ditët e saj duke qarë dhe duke u lutur për sigurinë e Artemit.
Artem u frikësua se nuk do t’ia dilte. Ai thirri për të thënë lamtumirë. “Ai tha se nëse nuk ia dilte, do të bëhej engjëll mbrojtës për djalin tonë”, thotë Kateryna.
Artemi ishte në mesin e më shumë se 2,500 ushtarëve të marrë robër nga Rusia kur u shpartallua ushtria ukrainase në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, pas 86 ditësh luftimesh të pamëshirshme.
Më 8 shkurt, Kateryna mori një mesazh nga Shtabi Koordinues për Trajtimin e e ushtarëve.
Artem Dmytryk ishte pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve. Ajo nuk u besonte syve.
Disa orë më vonë, ai telefonoi. “Përshëndetje, unë jam në Ukrainë”, i kishte shkruar ai.
“Ne po e rizbulojmë njëri-tjetrin, po biem sërish në dashuri”, tha Kateryna, tani 23 vjeçe. “Pasi kaloni diçka të tillë, ju e ndjeni atë ndryshe, sikur të jetë padyshim për një jetë”.
Secila prej tyre ka ndryshuar. Ata janë më të fortë se përpara 24 shkurtit 2022. Kjo sjell sfida të reja, pasi ata mësojnë të jetojnë sërish me njëri-tjetrin.
“Edhe tani, nuk mund të ktheheni në një jetë paqësore”, thotë Kateryna. Ajo shpesh mendon për mijëra ushtarë ukrainas që po mbahen nëpër burgjet e Rusisë.
Natën e parë që Artemi kaloi në shtëpinë e tyre në Kiev, Kateryna flinte e qetë.