Fiks dy vjet më parë, Rusia e prirë nga presidenti autoritar, Vladimir Putin nisi pushtimin e Ukrainës. Mësymja u bë me parashikimet se Ukraina do të binte shpejtë nën regjimin e tij. Dy vjet pas, Rusia kontrollon 20 për qind të territorit të Ukrainës. Deri më tani është luftë pa fitues dhe shumë humbës. Ama, me efekt të madh në krejt botën, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Lufta ruse në Ukrainë nuk sfidoi vetëm botën demokratike, të prirë nga Shtetet e Bashkuara, por i provoi edhe paralajmërimet e mëhershme për ndryshim të themeltë të rendit aktual botëror. Lufta ruse në Ukrainë është ndier edhe në Ballkan, rajon që nuk është këndellur nga luftërat në ish-Jugosllavi.
Bota perëndimore evropiane vetëm pas fillimit të luftës në Ukrainë e kuptoi se siguria dhe demokracia nuk mund të merren të mirëqena nën lidershipin amerikan, porse duhet mirëmbajtur e mbrojtur me çdo çmim pavarësisht sfidave brenda vetë shteteve e ndërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku partitë ekstreme po shënonin ngritje popullariteti.
Nga frika se pas Ukrainës ato do të ishin shtetet e radhës që do të mund të sulmoheshin, Finlanda dhe Suedia braktisën qëndrimet e tyre neutrale, dhe aplikuan për anëtarësim në NATO. Finlanda tashmë është anëtare dhe pas disa vonesave, edhe Suedia do të anëtarësohet në aleancën ushtarake. Shteteve në Ballkan me regjime demokratike, nuk u është ngutur që të shfrytëzojnë gatishmërinë e NATO-s dhe BE-së në përpjekjet e tyre për anëtarësim.
Njohësit e zhvillimeve politike dhe ndërkombëtare, vlerësojnë se Kosova nuk ka arritur të shfrytëzojë në favor të vetin përpjekjet e Bashkimit Evropian që të kthejë afër vetes shtetet jo anëtare, të cilat kishin rrezik nga përshkallëzimi i situatës shkaku i ndikimit të Rusisë. Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, në të cilin mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre pjesëtarë të grupit terroristë, konfirmoi edhe një herë ndikimin e madh që ka Rusia në Ballkan, sidomos te Serbia. Gazeta online Reporteri.net ka kërkuar vlerësim edhe nga Qeveria e Kosovës, por zyra për media nuk ka dashur të komentojë.
Profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri, thotë se Rusia përherë e ka parë Ballkanin si mundësi për të penguar zhvillimin e BE-së, për procesin evropianizues të rajonit dhe se i ka shfrytëzuar në veçanti përplasjet ndëretnike.
“Rusia ka shfrytëzuar Serbinë dhe anasjelltas, për të përcaktuar paqen dhe (de) stabilitetin e Evropës Juglindore, ka nxitur tensione politike në disa vende dhe ka minuar proceset e sigurisë kolektive.
Ai vlerëson se konflikti në Ukrainë është shumë i vonshëm në raport me synimet ruse.
“Ato nisin me territoret gjeorgjiane e vijojnë me Krimenë, gjithmonë duke përdorur alibinë e Kosovës. Për Rusinë, bota ndërtohet në rrathë koncentrik, kufiri i skajshëm i së cilës janë Kosova, Adriatniku, Mesdheu, Siria, ndërkaq, limiti i brendshëm është Donbasi dhe Luhanksu.
“Rusia këtë luftë e ka më të rëndësishmen në historinë e saj, fati i së cilës do të përcaktojë fundin e shtetit central putinian e në letra të federalizuar”, shton ai.
Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve ndërkombëtare, Rexhep Maloku, thotë se Kosova nuk arriti që ta kthente në përparësi në dialog faktin se Serbia nuk iu bashkua botës demokratike kundër Rusisë.
“Kosova fillimisht mendoi se do të fuqizohej mbështetja e Perëndimit për shkak të politikës serbe ‘edhe me Perëndimin, edhe me Rusinë”, vlerëson gazetari Maloku.
Mirëpo thotë se edhe Perëndimi nuk ka strategji të qartë për ta afruar Serbinë, e cila, sipas tij, gjithnjë së pari shkakton telashe në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit dhe pastaj shpreh gatishmëri për zgjidhje në procese të pafundme dialogu.
“Dhe kur sheh qëndrimet kundërthënëse të zyrtarëve më të lartë të Kosovës sot dhe qortimet e vazhdueshme të ambasadorëve perëndimorë, e kupton se Qeveria jonë është e paqartë edhe për raportin me aleatët perëndimorë, të cilët vëmendjen e madhe e kanë në Ukrainë e Lindje të Mesme”, ka thënë gazetari Maloku.
Për gazetarin dhe historianin Col Mehmeti, pushtimi rus në Ukrainë do të duhej të shërbente si alarm që të mos lejohet që në Kosovë të ketë infiltrim rus, i cili do të zgjeronte frontin e luftës.
“Ndikimi i luftës ruso-ukrainase ishte i prekshëm edhe në Kosovë, sikundër në krejt Ballkanin. Kjo, për arsyen e thjeshtë, sepse Rusia gjithnjë ka qenë mbështetëse e Serbisë dhe përpjekjeve të saj për ta minuar rendin e paqen në rajon – ashtu sikurse edhe të forcave ekstremiste politike që antiperëndimorizmin e kanë orientim kryesor”, thotë gazetari Mehmeti.
Ai vlerëson se që nga fillimi i luftës ruse në Ukrainë, në Kosovë nuk ka pasur ndonjë analizë të mirëfilltë për të kuptuar dimensionet e vërteta të ndikimit destabiliues rus.
“Nëse flitet për të ashtuquajturën doktrinë Gerasimov, pra projektimi hibrid i Rusisë, organet e sigurisë deri më tani do të duhej të kishin hartëzuar ato që janë ‘asete’ potenciale të ndikimit rus, e ku fare lehtë mund të jetë edhe radikalizmi fetar. Gjithsesi, rastet të tilla si ai në Banjskë, ku pati infiltrim të organizuar ushtarak nga ana e Serbisë, duket të kenë ndikuar në rritjen e ndjeshmërisë së Perëndimit karshi zonave nevralgjike dhe forcimin e mbështetjes për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi si shtete ku ekziston konsensusi politik e popullor për afrimitet me Perëndimin kundër Rusisë”, thotë Mehmeti.
Para se të niste pushtimin e Ukrainës, ushtria e Rusisë konsiderohej si një prej më të fortave në botë. Mirëpo sipas profesorit Imeri dhe gazetarit Mehmeti, dy vitet e luftës e kanë sfiduar fort Rusinë edhe në asketin ushtarak.
“Duke qenë pjesë e OKB-së, në veçanti e Këshillit të Sigurimit, ajo [Rusia] trashëgoi një fuqi që e bëri të pakapërcyeshme në arenën ndërkombëtare, edhe pse ajo nuk e përmbushte as nga afër realisht të qenit fuqi në kuptimin shumë shtresor, përveç se në atë ushtarak, por e cila edhe në këtë aspekt u sfidua si shumë në Ukrainë, tash e dy vite”, vlerëson profesori Imeri.
Performanca në frontin e luftës, sipas gazetarit Mehmeti, ka thyer mitin që qarkullonte se Rusia është fuqi në shkallë globale.
“Në fakt, lufta e zbuloi të kundërtën e kësaj: fuqia ruse ishte thjesht një projektim në erë që në themel kishte një shtet autokratik, të gërryer prej korrupsionit total e në luftë të brendshme midis poleve të ndryshme të oligarkëve”, vlerëson Mehmeti.
Për gazetarin dhe njohësin e zhvillimeve ndërkombëtare, Rexhep Malokun, lufta në Ukrainë rrezikon të kthehet në fushëbetejë të gjatë ndërmjet Perëndimit demokratik dhe Rusisë autoritare. Ukrainasit në këtë mes, nuk e kanë mbështetjen e plotë të të gjitha partive brenda BE-së dhe SHBA-së kur kërkohet pako multimiliardëshe për armatim.
Maloku dhe shumë studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare, paralajmërojnë se “tashmë jemi në një luftë të ftohtë të re”.