Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet lidhur me rastin e plagosjes që ndodhi mbrëmë në Prishtinë.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Prokuroria ka ftuar qytetarët që kanë informata relevante rreth rastit që të bashkëpunojnë me autoritetet për të ndihmuar në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se menjëherë pas marrjes së informatave për plagosjen e një personi në Prishtinë, kemi autorizuar Policinë e Kosovës për marrjen e veprimeve të nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Sigurojmë opinionin publik se në koordinim me hetuesit policorë kemi ndërmarr të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. Po ashtu, ftojmë qytetarët të cilët kanë informata relevante rreth rastit të bashkëpunojnë me autoritetet ligj zbatuese, duke iu drejtuar Prokurorisë dhe Policisë për të ndihmuar në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Për të shtënat me armë gjatë natës së mbrëmshme në Prishtinë detaje ka dhënë sot edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh. Policia ka bërë të ditur se një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave. Viktima është dërguar për trajtim në QKUK.
“Rr. Bedri Shala, Prishtinë / 04.03.2024 – 10:00. Një mashkull kosovar ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që janë shkrepur në drejtim të tij nga persona të panjohur. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një fishekë dhe disa gëzhoja. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë. /Reporteri.net.