×
  • Lajme
  • Lajme / 26 vjetori i Epopesë së UÇK-së

    Abdixhiku: Të punojmë fort në forcimin e shtetit, kështu dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të familjes Jashari

    Reporteri
    05 Mars 2024 | 11:41

    Në 26 vjetorin e epopesë së UÇK-së, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar sakrificën e familjes Jashari, derisa ka thënë se datat 5,6 dhe 7 mars shënojnë ngjarjen kulminante në luftën e Kosovës për liri dhe çlirim, shkruan Reporteri.net.

    Kreu i LDK-së ka shkruar se rënia heroike e familjes Jashari ishte këmbanë për luftën dhe përpjekjen tonë kolektive drejt lirisë.

    Komunikata e plotë:

    Në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përkujton sakrificën sublime të Familjes Jashari.

    “Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim; sakrificën sublime të Familjes Jashari e me këtë dhe fillimin e fundit të përpjekjes sonë shekullore për liri.

    Flijimi i familjes Jashari në altarin e lirisë, ishte sakrificë ultime e gdhendur në mendjen e mësuesit Shaban Jasharit, të Komandantit legjendar Adem Jashari e të Hamëz Jasharit. Ata zgjodhëm lirinë prandaj dhe morrën përjetësinë.

    Rënia heroike e tyre, përballë forcave ushtarake e paraushtarake të Serbisë, ishte kushtrim për një popull të tërë. Ishte këmbanë për luftën dhe përpjekjen tonë kolektive drejt lirisë, e për aleancat e ardhshme që do të rreshtoheshin me idealin e tyre e tonin pa dallim.

    Sot, në këtë 26 vjetor të Epopesë së UÇK-së, ne i kujtojmë me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat më të mirë të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot.

    Është obligim i secilit nga ne që të punojmë fort çdo ditë e më shumë në forcimin dhe avancimin e shtetit tonë, sepse vetëm kështu i nderojmë dhe e dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të Familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës.

    Lavdi e përjetshme për Familjen Jashari!”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!