×
  • Lajme
  • Lajme / 26 vjetori

    Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz: Epopeja e UÇK-së ka rikthyer dinjitetin e shtetit, simbolizon lirinë që gëzojmë

    Reporteri
    06 Mars 2024 | 11:13

    Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca sot kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Osmani tha se kryekomandanti Adem Jashari me gjithë familjen Jashari personifikojnë sakrificën më të lartë që ka njohur historia e Kosovës dhe se Epopeja e UÇK-së ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë që simbolizon lirinë që gëzojmë sot.

    “Jemi këtu së bashku që të shprehim mirënjohjen e thellë dhe përlujtimin tonë të përjetshëm për kryekomandantin Adem Jasharin dhe gjithë familjen të cilët personifikojnë sakrificën më të lartë që ka njohur historia jonë. Epopeja e UÇK-së është Epope e krenarisë tonë, që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë, që simbolizon lirinë që ne e gëzojmë sot. Familja Jashari do të mbesin për jetë udhërrëfyes për breza të tanishëm e ata që do të vijnë pas nesh”, tha Osmani në Prekaz.

    Kryeministri Kurti tha se në Prekaz kujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë që populli ynë gëzon sot dhe secili duhet të vijë në këtë vend, pasi siç tha ai duhet të mos harrohet e kaluara dhe të mos devijohet e ardhmja.

    “Në Prekazin historik kujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë të cilën e gëzojmë. Secili duhet të vijë në këtë vend që të mos harrojmë dhe devijojmë. Që të mos e harrojmë të kaluarën dhe të mos devijojmë drejt të ardhmes. Sakfrifica e Jasharajve është Epopeja e UÇK-së në themelet e çlirimit të vendit tonë që paraqet shpresë për shtetin tonë. Përgjithmonë u jemi falenderues dhe mirënjohes Jasharajve”, tha Kurti pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

    Kryeparlamentari Konjufca tha se sakrifica e Jasharave dhe lufta e UÇK-së përbën ngjarjet më të rëndësishme.

    “Në gjithë historinë tonë sakrifica e Jasharajve dhe lufta e UÇK-së përbën ngjarjet më të rëndësishme. Për sa kohë të ketë popull shqiptar gjithmonë do të jetë një vend ku jo vetëm përkulemi, por gjejmë frymëzim dhe patriotizëm”, tha Konjufca./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!