×
  • Lajme
  • Lajme / Përmbledhja e punës 100 ditore

    Cameron: Jemi duke investuar në shtetet që kanë nevojë për stabilitet, siç është Kosova

    Reporteri
    06 Mars 2024 | 12:08

    David Cameron, tani Ministër i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar ka mbushur plot 113 ditë pune në këtë pozitë, ku dhe përmes një video ka përmbledhur disa nga takimet që ai ka pasur. Në një video të publikuar në platformën “X”, Cameron thotë se ka realizuar 36 vizita të ndryshme në 26 shtete, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në videon që ai ka publikuar, Ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar ka përmendur edhe Kosovën dhe vizitën që ai e pati këtu në janar të këtij viti.

    “Kam vizituar dhe Ballkanin ku ne jemi duke investuar në shtetet që kanë nevojë për stabilitet, siç është Kosova”, tha ministri britanik.

    Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron në fillim të vitit vizitoi Kosovën. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Cameron është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.

    Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.

    “Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve”.

    “Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, ka deklaruar ai.

    Cameron ka thënë se në Kosovë, vitin që shkoi, ishin 600 trupa britanike në kuadër të misionit të KFOR-it. Britania e Madhe, po ashtu, trajnon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Kryediplomati britanik ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur që ka nevojë për stabilitet, siguri dhe të ardhme dhe se Mbretëria e Bashkuar po e ndihmon me të gjitha këto.

    “Çfarë ka ndodhur këtu në shtator është ekstremisht shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë cdo gjë që të mundemi që ta parandalojmë atë që të mos përsëritet dhe ta luftojmë nëse ndodh përsëri. Kosova është shtet sovran i pavarur që dëshiron stabilitet, siguri dhe të ardhme dhe Britania po ndihmon me të gjitha këto dhe është e drejtë që ne e bëjmë. Stabiliteti në Ballkan dhe siguria në Ballkan, dhe ndalimi i atyre që dëshirojnë të shkaktojnë destabilitet dhe të krijojnë probleme është në interesin direkt kombëtar të Britanisë dhe prandaj jam këtu, për të falendëruar trupat tona për punën që bëjnë dhe për të punuar me Qeverinë e Kosovës për t’i ndihmua ata me agjendën e tyre duke njohur faktin se ata janë një shtet sovran që meritojnë mbështetjen tonë derisa ata përpiqen për siguri dhe sukses”, kishte thënë Cameron./Reporteri.net/

    “Ushtria britanike do ta mbrojë Kosovën nëse është e nevojshme”, mesazhet e fuqishme që kryediplomati britanik la gjatë vizës në Kosovë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!