×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    Dioqeza e Rashkës-Prizrenit: Presim që toka t’i kalojë Manastirit të Deçanit

    Reporteri
    06 Mars 2024 | 22:49

    Qeveria e Kosovës pret që pushteti lokal në Deçan – komunë në pjesën perëndimore të vendit – ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit, ndërsa Komuna e Deçanit, e cila gjatë gjithë këtyre viteve e kundërshtoi zbatimin e këtij vendimi, thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim, shkruan Reporteri.net.

    Një aktgjykim i vitit 2016, i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për çështjen e 24 hektarëve tokë dhe pyje që t’i takojnë Manastirit të Deçanit, mund të gjejë implementim tash pas 8 vitesh, me shtysë të Qeverisë së Kosovës e udhëhequr nga kundërshtari – të paktën deri më tash – i zëshëm i këtij vendimi, Albin Kurti, gjoja në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    I bazuar në “politikën diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë, të vitit 1997, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, insistonte për vite me rresht se është vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për t’i detyruar autoritetet lokale të Deçanit që t’ia kthejnë Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë dhe pyje përreth objektit të kultit serb.

    Pak më shumë se dy vjet nga hera e fundit kur Kurti dha deklarimin e përfolur më sipër, Qeveria e tij është gati të shtyjë përpara këtë proces, gjoja në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka marrë vesh gazeta online Reporteri.net.

    Por, askush nga institucionet e Kosovës “nuk ka kontaktuar as me Dioqezën e Rashkës-Prizrenit, as me Manastirin e Deçanit”, në lidhje me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, për tokën e Manastirit të Deçanit.

    Kështu thonë për Radion Evropa e Lirë nga Dioqeza e Rashkës-Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, duke theksuar se, prej vitesh, dëgjojnë mesazhet e zyrtarëve më të lartë të Kosovës se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit “nuk është sjellë ligjërisht dhe nuk mund të zbatohet”, andaj “duhet të ketë një dialog kishtar për të”.

    Qeveria e Kosovës është duke pritur nga Komuna e Deçanit që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me të cilin kërkohet që manastirit mesjetar ortodoks t’i kthehen 24 hektarë tokë dhe pyll – gjë të cilën komuna ka refuzuar ta bëjë deri më tani.

    Tokat e Manastirit të Deçanit “kompromisi” i Kosovës për anëtarësimin në KiE

    Po ashtu, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti është duke biseduar për zbatimin e këtij vendimi me autoritetet lokale në Deçan dhe aktorët tjerë relevantë, në prag të seancës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

    Një veprim i tillë është justifikuar me “respektimin e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës”.

    Megjithatë, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i tha Radios Evropa e Lirë se deklaratat e tij për këtë çështje janë publike dhe se nuk dëshiron të shtojë asgjë më shumë.

    I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Qeveria e Kosovës kërkon zbatimin e vendimit, ai tha se “nuk beson se Qeveria do ta kërkojë një gjë të tillë”.

    Nga Dioqeza e Rashkës-Prizrenit thonë se rasti i regjistrimit të tokës në kadastër është bartur vazhdimisht nga niveli komunal në atë qendror dhe anasjelltas, dhe kështu “është shmangur ekzekutimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese tash e tetë vjet”.

    “Prandaj, presim që institucionet e Kosovës, më në fund, ta kryejnë punën e tyre në përputhje me ligjin, ta regjistrojnë tokën tonë në kadastër dhe t’i lëshojnë manastirit një vërtetim pronësie, në përputhje me vendimin e Gjykatës. Besojmë se ky do të ishte një hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit”, thuhet në përgjigje.

    Shtohet, po ashtu, se Kisha Ortodokse Serbe ka qenë gjithmonë e gatshme “për dialog, me qëllim të përmirësimit të jetesës dhe zgjidhjes së çështjeve praktike”.

    Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë që t’i regjistrojnë në kadastër të Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë dhe pyll, për shkak se besojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!