I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, qëndroi këtë javë në Kosovë, e gjatë javës së ardhshme pritet të jetë në Serbi.
Lajçak të martën në vizitën në Prishtinë paralajmëroi një takim ndërmjet kryenegociatorëve të të dyja palëve, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve por edhe të përdorimit të dinarit serb, që çoi në mospajtime të thella ndërmjet autoriteteve në Prishtinë dhe diplomatëve perëndimorë.
Pas një takimi rreth dy orësh me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, Lajçak para mediave ka thënë se me Bislimin kanë diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe po ashtu për Rregulloren e re të BQK-së për pagesat me para të gatshme.
Emisari evropian tha do të thërrasë edhe një takim në Bruksel që do të jetë në nivel kryenegociatorësh, për për çka tha se ndërlidhet edhe vizita e tij në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Kemi diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve. Dokumenti për normalizim, i cili është bërë një vit që kur e kemi adoptuar dhe duam të shohim përparim në këtë drejtim. Kjo është një nga çështjet për të cilën kemi diskutuar. Dhe çështja e dytë që është po ashtu e rëndësishme dhe për të cilën diskutuam është rregullorja e BQK-së për pagesat me para të gatshme.
Diskutuam edhe për çështjen e pagesave lidhur me aspektin monetar dhe që është pjesë relevante e procesit të dialogut. Për këtë çështje kemi pasur një takim edhe në Bruksel. Takimi në Burksel ishte konstruktiv dhe kemi pasur disa pyetje në të cilat jemi përgjigjur dhe kemi diskutuar por ka pasur edhe çështje që kanë tejkaluar kompetencat e delegacioneve në Bruksel dhe diskutuam këto çështje me Bislimin. Diskutimet do të vazhdojnë dhe kam në plan të realizojmë edhe një takim në Bruksel në nivel kryenegociatorësh. Kjo ishte edhe arsyeja pse erdha këtu.
Do të thosha se duhet analizuar disa përgjigje në lidhje me këtë çështje, por ky është një proces dhe duhet të jemi të sigurtë që në fund qytetarët, njerëzit të mos ndikohen nga një vendim i tillë. Në lidhje me këtë takim, i kam lënë të hapura mundësitë që të prezantojnë çështjet për të diskutuar, delegacionet që të vijnë dhe të diskutojnë dhe për mua kjo nuk është problem.
Ua kam lënë vendeve vet të vendosin se kë do të dërgojnë për të negociuar. Takimet e ardhshme janë në nivel të kryenegociatorëve”, tha Lajçak para gazetarëve.
Ai foli edhe për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, teksa tha se është në interes të të dyja palëve që të ketë progres në këtë drejtim. Lajçak tha se Marrëveshja Bazë është marrëveshja më e mirë që mund të arrihej.
“Kemi diskutuar një listë të gjatë të çështjeve dhe më e rëndësishmja është zbatimi i marrëveshjes bazike, është në intere s të gjithëve të kemi progres në këtë drejtim. Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrijmë. Nëse do të kishim një marrëveshje më të mirë do ta kishim bërë, prandaj është në interesin e secilit sepse në këtë marrëveshje i kemi të gjitha përgjigjet se çfarë të bëjmë dhe si të bëjmë dhe çështja është se kur do të ndodhë zbatimi. Kemi shpenzuar shumë kohë për të ndërmarrë hapat dhe ka një frikë te të dy palët se çfarë do të bëjë unë dhe çfarë do të bëjë pala tjetër. Besoj që këto çështje mund shumë thjeshtë të zgjidhen”, tha Lajçak në Prishtinë.
Por ndryshe nga Lajçak, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se “çështja e dinarit nuk është çështje për dialog”.
Në njoftimin për media nga Kryeministria, u tha se Bislimi ka kërkuar nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike me Serbinë, sekuencimin e zbatimit të saj si dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, sa i përket çështjes së dinarit, Bislimi ka thënë se ‘kjo nuk është çështje e dialogut’.
“Në takim u bisedua mbi ecjen tutje dhe avancimin në zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve. Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjes është garancë dhe për pranim e zbatim të saj. Në këtë drejtim, refuzimi nga Serbia dhe letra e kryeministres Brnabiq dhjetorin e kaluar, nuk kontribojnë pozitivisht në frymën e dialogut dhe zbatimin në plotni të marrëveshjes.
Ndërkohë, mbi masat ndëshkuese ndaj Kosovës, u kërkua nga ana e zëvendëskryeministrit Bislimi heqja e tyre sa më parë, ku shprehu se ato janë të padrejta dhe duhet të bëhen hapa finalizues drejt heqjes së tyre”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Bislimit.
Sa i përket çështjes së dinarit, kjo Zyrë thotë se Bislimi ‘ka sqaruar se kjo çështje nuk është pjesë e dialogut’.
“Mbi Rregulloren e BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi sqaroi se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve. Poashtu, e siguroi z. Lajçak qё Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale”, u tha në njoftimin për media.
Për vizitën e Lajçakut në Beograd gjatë javës së ardhshme ka folur sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë se me të do të flasë për procesin e largimit të kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ në Kosovëmori vendim që më datën 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Votimi do të zhvillohet në Mitrovicë të Veriut, Zveҫan, Zubin Potok dhe Leposaviq, pas peticionit që KQZ e cilësoi të sukseshëm, ku 20 % e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë, nënshkruan peticionin tashmë të verifikuar. /Reporteri.net/